Haki Abazi tregon biografinë e babait të tij të burgosur nga Serbia pas akuzave të Molliqajt

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Haki Abazi, në profilin e tij në Facebook ka postuar një biografi të shkurtë të babait të tij, Hasan Abazi i arrestuar nga pushtetit Serb dhe i shpallur në kërkim me akuzat se luftoj pushtetin e Millosheviqit.

Kjo pasi ditë më parë, në një debat televiziv në “T7”, kandidati për deputet i koalicionit AAK/PSD, Dardan Molliqaj i kishte thënë se ai ka qenë në luftë kur babai i Abazit kishte vazhduar të punonte gjatë viteve të 90-ta.

“Mjaftojnë gjithashtu më pak se 10 minuta për të pare më shumë në google se kush është Hasan Abazi dhe cila ka qenë veprimtaria e tij me miq, kombtare dhe patriotike, që nga 1968 kur ka qenë njëri ndër organizatorët e Demonstratave të vitit 1968, i burgosur politik dhe dy herë parlamentar i paralmenteit të Kosovës kundrejt sistemit okupues të Milloshevicit, organizator i dhenies se bursave për qinddra student, udhëheqës i komisionit për solidaritet, udheheqës i komisionit për informim, themelues i sindikatave të pavaruara të Kosovës në kohet më të vështira të okupimit”, ka shkruar Abazi në Facebook.

Deklaratat e Molliqajt se babai i Haki Abazit, zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, ka punuar në kohën e masave të dhunshme, ka ngjallur reagime të shumta në opinion.

Molliqaj i tha Abazit në debatin televiziv “T7” se “unë kam qenë në luftë, për dallim nga baba yt që edhe nën masa të dhunshme ka vazhdu me nejtë në punë“.

Por, ndaj deklaratave të tilla kanë reaguar qytetarë të shumtë dhe bashkëpuntor te Hasan Abazit.

“Deklarata e Dardan Molliçajt se gjoja Hasan Abazi, ka vazhduar te punoj nen masat e dhunshme serbe nuk eshte e vertete! Krijimi i dosjeve te shpifura nenkupton tendencen e fshehjes se dosjeve te krimit!”, ka shkruar ish-gazetari nga Ferizaji, Afrim Demiri, në profilin e tij në Facebook.

Pas debatit në televizionin T7, Haki Abazi kishte deklaruar se është sulmuar fizikisht nga Dardan Molliqaj. 

Incidenti ishte raportuar në Polici nga autori i emisionit, Leonard Kerquki.

Përderisa Molliqaj e kishte mohuar këtë.

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për përleshjen e mbëmshme në mes të Dardan Molliqajt dhe Haki Abazit.

Sipas Policisë personat e përfshirë në rast janë intervistuar dhe është iniciuar si rast i sulmit.

Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti ka thënë për KALLXO.com se me urdhër të prokurorit kanë filluar hetimet për sqarim të rastit.

Perndryshe Hasan Abazi, babai i Haki Abazit ishte arrestuar nga Policia serbe në vitin 2012. Ai kishte qëndruar në burg për më shumë se një muaj me akuzat për veprimtari armiqësore ndaj pushtetit të Serbisë gjatë viteve 90-ta. Abazi ishte liruar vetëm pasi për të është paguar një kaucion ndërsa për të njëjtin Serbia ka lëshuar një fletarrest me të cilin kërkon arrestimin e tij nën akuzat si person që e ka luftuar pushtetin e Millosheviqit.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Haki Abazit:

Për ata të gjeneratës më të re që ka mundësi nuk e njohin Hasan Abazin, më poshtë është linku për faqën e tij në Wikipedia. Mjaftojnë gjithashtu më pak se 10 minuta për të pare më shumë në google se kush është Hasan Abazi dhe cila ka qenë veprimtaria e tij me miq, kombtare dhe patriotike, që nga 1968 kur ka qenë njëri ndër organizatorët e Demonstratave të vitit 1968, i burgosur politik dhe dy herë parlamentar i paralmenteit të Kosovës kundrejt sistemit okupues të Milloshevicit, organizator i dhenies se bursave për qinddra student, udhëheqës i komisionit për solidaritet, udheheqës i komisionit për informim, themelues i sindikatave të pavaruara të Kosovës në kohet më të vështira të okupimit.

Koincidenca historike është se me 6 Tetor 1968 është bërë kthesa më e madhe drejt realizimit të aspiratave të gjeneratave tana për pavarësi, shtet, flamur dhe universitet në gjuhën Shqipe, qe ka rezultuar me kushtetutën e vitit 1974.

Me 6 Tetor te vititi 2019 do te bëhet kthesa e madhe dhe do të vijë në qeveri Lëvizja VETEVENNDOSJE për ta kthyer shtetndërtimin, për ta transformuar Kosovën në shtet të qytetarëve, shtet me drejtësi, zhvillim e barazi.

Unë jam rritur, edukuar dhe ngritur në gjithë karrierën time profesionale mbi 20 vjecare me frymën e dashurisë ndaj vendit, kombit dhe njerëzve i udhëzuar dhe i përkrahur nga këta dy njerëz, Eminja dhe Hasani (në foto), prindërve tone te dashur.

Shpifjet, sulmet fizike, kërcnimet nga njërëz që qëllim e kanë veten dhe veten e kanë qëllimin, nuk më ndalin mua e aq me pak nuk e ndalin fitorën e thellë të LVV dhe formimin e qeverisë Kurti.

Unë nuk jam i gjithëdishëm e as i pagabuar, por LVV është sistemi i vlerave të përfaqësuara nga qindra-mijëra njerëz, që plotëson e avancon cdo njërin për tu fokusuar tek qytetari, hallet e tyre por edhe më shume te zgjidhja e problemeve të vendit, duke filluar nga një proces i qetë demokratik zgjedhor dhe përfshirje të gjitha shtresave qytetare dhe moshave dhe diasporës nga kontinenti Amerikan e deri ne Australi.

Ju falëminderit për përkrahjen e vazhdueshme.