Haki Abazi i bashkohet Vetëvendosjes

Analisti i njohur kosovar, Haki Abazi edhe zyrtarisht është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Lideri i LVV-së ka njoftuar për anëtarësimin e tij nëpërmjet një postimi në “Facebook”.

“Haki Abazi na u bashkua në VETËVENDOSJE!. Njohuritë e gjera dhe eksperienca zhvillimore e Hakiut në Kosovë dhe vende të ndryshme nëpër botë, e bëjnë atë një vlerë të shtuar në Lëvizjen tonë”, ka shkruar Kurti.

“Hakiu njihet, në mes tjerash, për përkrahjen e tij të vazhdueshme në themelimin e dhjetra organizatave në Kosovë që promovojnë filantropinë, zhvillimin e qëndrueshëm, ide ndërmarrëse inovative, lirinë e mediave, luftën kundër korrupsionit, dhe qeverisjen e përgjegjshme. Ai ka jetuar e punuar në 120 shtete të botës në këto 20 vitet e fundit. Me Hakiun në Lëvizje, ndryshimet e domosdoshme në shtetin tonë po bëhen edhe më të afërta edhe më të lehta. Do të ecim bashkë drejt zgjerimit të mëtutjeshëm dhe fitores së pashmangshme”, thuhet në fund të postimit të Albin Kurtit.