Hajdari: Jam krenare që u sigurova qytetarëve ushqim në kohë lufte në Ukrainë

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka thënë se ndihet krenare që si ministre ka arritur që, siç ka thënë ajo, qytetarëve të Kosovës t’u sigurojë ushqime në kohë krize me luftën në Ukrainë.

Këto deklarime ministrja Hajdari i bëri gjatë një konferencë për media të thirrur nga vetë ajo, pas kontrolleve dhe arrestimit të zyrtarëve të MINT-it, në lidhje me dyshimet për keqpërdorime me rezerv shtetërore.

“Unë ndihem shumë krenare që popullatën tonë, qytetarëve  tanë u kam siguruar mbijetesë në kohë krize me luftën në Ukrainë, kur ishin të mbyllura të gjitha mundësitë për të marrë rezerva shtetërore nga shtetet të ndryshme, sepse të gjitha shtetet siguroheshin në vete për të ndalur rezervat, ndalur eksportet e mallrave bazik që përfshinë grurin dhe mallrat tjera për mbijetesë”- tha ministrja Hajdari.

Ajo ka thënë se do të kishte dashur që hetimet në MINT, të fillonin në kohën e fillimit të luftës në Ukrainë.

“Prandaj, unë ndihem shumë krenare që kam shtuar sigurinë e popullatës sonë, do të kisha dashur që hetimet të fillojmë në atë kohë kur nisi lufta në Ukrainë dhe kur ishin të gjithë kufijtë e mbyllur për eksportin e të gjitha mallrave për mbijetesë”- tha Hajdari.

Hajdari ka shtuar se nuk sheh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje, pas arrestimeve sot në ministri në lidhje me dyshimet për keqpërdorime me rezerva shtetërore.

Ministrja shtoi gjithashtu se nuk sheh asnjë dyshim tek zyrtarët e MINT-it, të arrestuar sot.

“Unë nuk shoh asnjë arsye për të dhënë dorëheqje dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë dhe siguri të plotë, dhe nuk shoh asnjë arsye dhe thjesht dyshim te zyrtarët, të cilët janë të ndaluar sot” – u shpreh ajo.

Prokurorisë Speciale e Kosovës ka njoftuar se nga aksioni i sotëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në pranga kanë përfunduar 3 persona të dyshuar.

Ata janë arrestuar nën dyshimin për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre (3) persona me inicialet  R.M. H.G dhe I.L”- thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Tutje, Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.

Të njëjtit, sipas njoftimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit.

Mëngjesin e sotëm, Policia kishte aksion në MINT dhe në pronat e Ridvan Muharremit, i cili më vonë edhe u arrestua.

Këto bastisje vijnë pas një publikimi të një audioincizimi të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.