Grlić Radman: Kroacia mbështetë rrugën evropiane të Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin kroat për punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane, Gordan Grlić Radman.

Në komunikatën e presidencës thuhet që në këtë takim, marrëdhëniet ndërmjet dy popujve dhe shteteve janë vlerësuar të shkëlqyeshme që nga periudha e viteve të 90-ta e deri më sot, ndërkohë që të dy palët kanë shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit në aspektin bilateral dhe mulitilateral.

Presidentja Osmani u njoftua se kërkesa e saj më 15 prill 2021 për një donacion simbolik të vaksinave kundër COVID-19 nga Kroacia, ka marrë përgjigje pozitive, ndaj sot ministri Grlić Radman solli lajmin për donacion prej 10 mijë vaksinash për qytetarët e Kosovës.

Më tej në komunikatë thuhet se presidentja Osmani ka theksuar se procesi i dialogut me Serbinë nuk duhet ndërlidhur me liberalizimin e vizave, ngase sipas saj, Kosova tashmë ka plotësuar kriteret për liberalizim vizash, pavarësisht se ka pas dyfish kritere më shumë se sa vendet e tjera. Osmani ka kërkuar mbështetjen kroate në këtë proces dhe mininstri Grlić Radman rikonfirmoi mbështetjen e Kroacisë.

“Kosovës duhet t’i jepet liberalizimi i vizave menjëherë, sepse Kosova i ka plotësuar kriteret ndërkaq BE-ja duhet ta mbajë premtimin e jo ta konsiderojë liberalizim si peng të procese të tjera”, ka theksuar Osmani.

Më tej, Osmani ka thënë se Kosova dhe Kroacia kanë shumë çështje që i lidhin, ndaj në këtë kontekst ka përmendur numrin e përafërt të personave të zhdukur me dhunë nga regjimi serb gjatë luftërave të viteve të 90-ta, duke shtruar nevojën për bashkëpunim konkret për zbardhjen e fatit të tyre.

Ndërkaq ministri Radman, siç thuhet në komunikatë, ka potencuar se shteti i tij e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën evropiane, sikurse edhe në procesin e liberalizimit të vizave. Teksa Presidentja e ka falënderuar ministrin Radman për ndihmën, duke u angazhuar që bashkëpunimi të shtrihet edhe në sferën e partneritetit strategjik me theks të posaçëm në sferën e mbrojtjes.