Greva në shëndetësi, pacientët ambulator mbesin pa shërbime - VIDEO

Fatmire Shala nga fshati Trudë i Komunës së Prishtinës është kthyer mbrapa, pasi që nuk ka arritur të marrë shërbimin e kërkuar nga mjekët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ajo ka probleme shëndetësore me fyt dhe si pasojë e kësaj mjekët e kanë udhëzuar t’i bëjë analizat, mirëpo për shkak të grevës tetë orëshe të stafit shëndetësor, mjeku nuk ka mundur t’ia lexoj rezultatin e analizave.

E njëjta situatë, ajo thotë se i ka ndodhur edhe javën e kaluar, pasi që edhe sot një javë mjekët në të gjithë vendin kanë qenë në grevë tetë orëshe, por Shala nuk ka qenë e informuar për grevën.

“Kom pas probleme me fyt… Kam pas javën e kaluar me i bo po ka qenë grevë, por prapë sot erdha me m`i kqyr analizat, tha nuk është, ka qenë kujdestar mjeku dhe ka shku në shtëpi. Po besoj që duhet prapë me ardh nesër”, tregon ajo për KALLXO.com

Ajo po ashtu tregon se analizat i është detyruar t`i bëjë në laborator privat.

Përveç Shalës, edhe qytetari, Valdet Shabani është kthyer në shtëpi pa marrë shërbimin e kërkuar.

Ai shkoi në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Lagjen Dardania në kryeqytet për të kërkuar një shërbim nga stafi shëndetësor, por këta të fundit ishin në grevë dhe kërkuan nga ai të kthehet për të marrë shërbim vetëm pas orës 16:00.

“Erdha për një shërbim të zakonshëm me bo, por ishin në grevë dhe deri pas orës katër nuk ka asnjë shërbim”, tha Shabani për KALLXO.com

Mantelbardhët në të gjitha institucionet shëndetësore në vend kanë bojkotuar punën për tetë orë. Ata kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të miratohet me urgjencë Projektligji i pagave.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në ShSKUK në lidhje me shërbimet kirurgjike të cilat janë pezulluar sot për shkak të grevës, por këta të fundit nuk kanë kthyer përgjigje.