Grenell "përplaset" me gazetarin e "New York Times" për Kosovën

I dërguari i posaçëm i administratës Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, është përfshirë në një debat në ‘Twitter’ me gazetarin e “New York Times”, Patrick Kingsley.

Fillimisht, gazetari Kingsley ka shpërndarë një artikull ku tregohet për anulimin e takimit të palës kosovare me atë serbe, në Uashington.

“Një iniciativë e ndërmjetësuar nga Amerika për të stabilizuar Ballkanin, për të cilën administratori Trump shpresonte se mund të digjte letrat kredenciale të politikës së jashtme në një vit zgjedhor, u shty të enjten pasi presidenti i Kosovës u akuzua për krime lufte”, ka shkruar gazetari në përshkrimin e këtij artikulli.

Ndërsa ambasadori Grenell, ia ka kthyer duke thënë se ka shumë gabime në këtë pjesë dhe se gazetari nuk e ka kontaktuar.

“Qasja jonë ka qenë gjithmonë të përqendrohemi në punë dhe ekonomi. Asnjëherë nuk kemi besuar se kjo do të ishte një fitore e shpejtë. Një tregim i vazhdueshëm mediatik dhe që është plotësisht i gabuar dhe pa asnjë fakt”, ka shkruar Grenell.

Po ashtu, Grenell ka shtuar se ka folur direkt me këshilltarët e Sigurisë Kombëtare gjermane dhe franceze për tu koordinuar dhe se nuk ka folur kurrë për territore.

Gazetari Kingsley ia ka kthyer duke thënë se ka tentuar të kontaktojë Grenellin përmes email-it dhe telefonit, ndërsa sipas tij, ambasadori nuk është përgjigjur.

“Unë nuk e diskutoj që unë nuk pranova t’ju flas sepse ju jeni tepër të njëanshëm. Dhe tani historia juaj është e mbushur me shumë gabime. Është pasoja e paragjykimit tuaj”, iu është kundërpërgjigjur Grenell, gazetarit të New York Times.