Aleksandar Vuçiq

Chollet pyetet nga kryetari i Komitetit të Senatit për artikullin e "New York Times" për lidhjet e Vuçiqit me botën e krimit

Artikulli i “New York Times” që e lidh presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me botën e krimit në Serbi ka qenë diskutimi sot në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raporton Zëri i Amerikës.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, është pyetur nga kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Bob Menendez për këtë artikull.

Gjatë kohës sa ishte duke u folur për formimin e Asociacionit të komunave shumicë serbe në Kosovë, Menendez tha se ‘i duket se nuk ka shumë presion mbi Beogradin ose një plan dhe garanci reale që Asociacioni nuk do të bëhet Republika Serpska e re’.

Tutje ai shtoi se më shumë sheh presion mbi Kosovën e pak presion mbi udhëheqësin serb (Vuçiq), ‘të cilin ‘New York Times’ e lidhi me bandat kriminale’.

Chollet iu përgjigj kësaj pyetjeje duke thënë se administrata besonte se raportimi i “New York Times” ishte i besueshëm, por që ai nuk mund të fliste për detajet e artikullit.

Presidenti serb më 9 maj reagoi për këtë artikull. Ai i cilësoi gënjeshtra pohimet e ngritura në një shkrim të “New York Times” për lidhjet e pretenduara të tij me botën e krimit në Serbi.

Shkrimi përshkruan me hollësi krime të kryera nga banda e Velko Belivukut, kreu i grupit të tifozëve të ekipit të futbollit, Partizani, në Beograd.

Ai dhe 29 pjesëtarë të grupit u arrestuan më 2021 dhe “në një seancë gjyqësore me dyer të mbyllura Velko Belivuku tha se banda e tij ishte organizuar ‘për nevojat dhe me urdhër të Aleksandër Vuçiqit’, sipas transkripteve të gjykatës”, thuhet në artikull.

Në një intervistë me televizionin proqeveritar serb “Happy”, presidenti serb tha se koha e publikimit të artikullit nuk ishte zgjedhur rastësisht.

“Teksti i pakuptimtë në New York Times është porositur para pesë muajsh dhe e kanë hartuar njerëzit këtu (në Serbi). Nuk e ka shkruar atë njëfarë amerikani, gazetar i lirë, që e kanë gjetur diku. Në tekst janë të gjitha gënjeshtrat që i kanë publikuar këtu për ta fshehur bashkëpunimin e tyre me klanin e Belivukut”, tha ai.

Vuçiq tutje theksoi se është fshehur fakti se dy nga dëshmitarët kanë pohuar se është përgatitur vrasja e tij.

Vuçiq: Teksti i pakuptimtë i publikuar në New York Times, është shkruar në Serbi