Graçanicë, dhjetëra qytetarë ndezin qirinj për tre të vrarët nga sulmi në Banjskë

Dhjetëra qytetarë serb lokal janë mbledhur në oborrin e Shtëpisë së Kulturës në Graçanicë, për të ndezur qirinj, në nderim të tre personave të grupit të armatosur, të vrarë gjatë sulmit terrorist të 24 shtatorit, në Banjskë të Zveçanit.

Ndezja e qirinjëve është bërë pranë një kryqi që gjendet në oborrin e Shtëpisë së Kulturës, ndërsa pranë këtij kryqi janë po ashtu edhe fotografitgë e tre personave të vrarë.

Në anën tjetër pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga një grup i armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të 24 shtatorit.

Organet e rendit zyrtarisht kanë konfirmuar se tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Prokuroria Speciale e kishte konfirmuar se të dyshuarit ata do të hetohen për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’, “Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’, “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Millan Radoiçiq u pa në Manastirin e Banjskës. Pamjet e marra nga droni shfaqën një grup terroristësh të armatosur e uniformuar, të cilët mbanin maska e kapela ushtarake.

Policia e Kosovës ka njoftuar se në njërën prej veturave të grupit terrorist, që është konfiskuar në Banjskë të Zveçanit, janë gjetur edhe dokumente të Millan Radoiçiqit, i cili është person i kërkuar nga autoritetet e Kosovës, njëherazi nënkryetar i Listës Serbe.