Gjyqtari Luan Berisha - 14.09.2021

Gjyqtari nga Prizreni ecën rrugës pa maskë - VIDEO

Gjyqtari nga Prizreni, Luan Berisha është parë duke ecur rrugës pa maskë, ndërkohë që kjo është obligative sipas vendimit të Qeverisë për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Në një video të dërguar nga një qytetar në redaksinë e KALLXO.com, derisa ishte duke ecur në rrugët e Prizrenit i vetëm, gjyqtari shihet se nuk e kishte vendosur maskën.

I kontaktuar nga Kallxo.com lidhur me këtë rast, gjyqtari Berisha deklaroi se ka qenë vetëm një moment, sepse sipas tij në çdo kohë dhe vend ku ka më shumë se 1 person ai e vedos maskën.

“Kam qenë vet duke ecur rrugës, askë nuk e kam rrezikuar dhe ka qenë moment i atyqasshëm ngase në çdo kohë, vend dhe hapësirë ku ka më shumë se një person unë e vendosi maskën. Sipas rregullave IKSHP-së, kur je vet nuk është e domosdoshme vendosja e maskës, përkundër kësaj, unë e vendosi përherë maskën, duke u kujdesur për shëndetin tim personal në rend të parë si dhe për shëndetin ku jetoj, veproj dhe punoj”, tha për KALLXO.com gjyqtari Luan Berisha.

Në anën tjetër Ligji për pandeminë thotë se bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet përveç gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me anëtarë të familjes, gjatë vrapit, çiklizmit dhe ushtrimeve fizike si dhe gjatë ngrënies apo pijes.

Gjatë 24 orëve janë shqiptuar 1,977 tiketa nga Policia e Kosovës për shkak të shkeljes së masave anti -Covid.