Mësimet nga Covid-19

Më 13 mars 2020 u konfirmua rasti i parë me Covid 19 në Kosovë. Një burrë i moshuar ishte konfirmuar se ishte prekur nga virusi i mistershëm COVID 19. Pak minuta më vonë morëm lajmin tjetër një grua në rrethin e Klinës ishte konfirmuar si rasti i dytë.

Vendi ishte në një situatë paniku, numri i infektologëve, pulmologëve, anesteziologëve dhe profesionistëve të tjerë ishte i vogël.

Në vend nuk kishte pajisje laboratorike që do arrinin ta konfirmonin virusin, numri i pajisjeve të intubimit ishte nën 10, ndërsa paralajmërimet ishin se kjo mund të na dërgonte drejt një kolapsi në shëndetësi.

U mbyllën bizneset u mbyllën shkollat u mbyll çdo gjë hapur mbetën vetëm spitalet mediat e marketet.

Në tri vjet, pandemia shkaktoi 3 mijë e 211 viktima dhe ende sot është duke marrë jetë njerëzish.

Në përballje me virusin jetën e humbën 21 mjekë nga Kosova dhe dhjetëra punonjës të tjerë shëndetësor si infermierë apo punëtorë teknik.

Për këtë temë u diskutua edhe në emisionin #KallxoPernime.

Lul Raka, mikrobiolog ka folur rreth numrit të viktimave që humbën jetën nga ky virus.

Raka ka thënë se me kushtet dhe rrethanat e tre vjetëve më përpara, Kosova dhe punëtorët shëndetësor e ka bërë optimumin.

“Ka mujt m`u bo ma mirë por nashta edhe më keq sepse në disa faza ka pasur arritje e progres. Kështu që përgjigja ime është edhe po edhe jo, në çdo shtet ka mujt ndoshta me pas më pak viktima”, ka thënë Raka.

Izet Rrahmani që ishte zv/ministër i Shëndetësisë në qeverinë Kurti 1, infektolog dhe tash është drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës ka thënë se tash është lehtë të bëhen analiza por në atë kohë bota ishte në panik.

“Italia ishte e gjunjëzuar atë kohë që konsiderohet njëra nga shtetet me shëndetësinë më të zhvilluar dhe ju e dini që në një farë forme Kosova ja ka ditë hallin vetës, ne kemi marr masa në at kohë që kanë qenë kritikuese, shkollat janë mbyll 2 ose 3 ditë para rastit të parë”, ka thënë Rrahmani.

Ai ka shtuar që Kosova qëndron edhe më mirë se rajoni për sa i përket statistikave të vdekjeve.

“Kontributi më i madh ka qenë i punëtorëve shëndetësor, prej që ekziston infektiva, nuk ka pasur pushime mjekësore, nuk ka punëtorë shëndetësorë i cili ka kërkuar pushim mjekësor, ka pasur edhe të tillë që kanë marr banesë vet për të mos e rrezikuar familjen”, ka thënë Rrahmani.

Rrahmani ka folur edhe për çmimin e maskave që në atë kohë secila komunë kishte paguar shuma të ndryshme për to.

E një hulumtim i KALLXO.com i realizuar tre muaj pas konfirmimit të rastit të parë me Covid 19, tregon që institucionet e Kosovës kishin paguar çmime të fryra për maskat për mbrojtje nga COVID-19, duke paguar deri në 12 euro për një maskë të tipit FFP2 gjatë kohës së pandemisë.

KALLXO.com ka gjetur se çmimi i maskave është fryrë në tregun e brendshëm, meqë çmimi i deklaruar në Doganë, me rastin e importit të tyre, ishte shumë më i ulët.

Të dhënat e Doganës së Kosovës thonë se gjatë vitit 2020 janë importuar 36 mijë maska të tipit FFP2.

Prej tyre, 31 mijë e 600 apo 87% kanë hyrë në Kosovë me një çmim prej vetëm 2 euro e 46 centë. Ky çmim i deklaruar në Doganën e Kosovës ishte me qëllim të zhdoganimit të mallit dhe i njëjti është verifikuar nga Dogana. Vendi i prodhimit të këtyre maskave, që kanë hyrë në shtatë ngarkesa të ndryshme, është Kina.

“Ka qenë treg që ndoshta një komunë më e vogël ka pasur mundësi ma shumë me pas, por po flasim për një pandemi që ka pas edhe shtete më të zhvilluara që i ka zënë pa përgatit, por Kosova nuk ka pasur rast që dikush të ketë pasur nevojë për oksigjen e që nuk i është ofruar ky shërbim. Ka pasur oksigjen por nganjëherë ka pasur kriza të afateve kohore”, ka thënë Rrahmani.

Shpëtim Thaçi, pulmolog ka thënë se parimisht s’ka pas mungesë të oksigjenit as në Klinikën e Pulmologjisë.

“Asnjë pacient i cili ka pasur nevojë për hospitalizim në Klinikën e Pulmologjisë nuk është lënë jashtë kësaj klinike. Në fillim të pandemisë vetëm 30% e dhomave të kësaj klinike e kanë pasur të instaluar sistemin e oksigjenit qendror”, ka thënë Thaçi.

Performancë të mirë në menaxhimin e pandemisë ka treguar Kosova sipas hulumtuesit Ilir Hoxha.

“Kosova gjatë 6 muajve të parë të pandemisë i ka pasur 16 vdekje në 1 mijë raste me Covid 19. Krejt rajoni përfshirë edhe Shqipërinë, numrin e vdekjeve e ka pasur më të lart se Kosova”, ka thënë Hoxha.

Pse nuk u raportuan të gjitha rastet e vdekjeve nga Covid-19?

Lul Raka, mikrobiolog ka thënë se jo vetëm në Kosovë po në gjithë botën nuk janë regjistruar të gjitha vdekjet nga Covid 19.

“Kjo quhet vdekje shtesë, ku janë disa raste, një pjesë e njerëzve nuk janë raportuar askund hiç as s’ka shku në ambulantë, ka mujt me vdek në shtëpi pa u regjistru askund. Pjesa tjetër e rasteve të vdekjes është që pacientët kanë vdekur disa javë apo muaj pas trajtimin në kujdes intensiv, nëse ka nejt 2-3 muaj në këtë repart dhe ka vdek, kur është testu ka qenë covid negativ, mirëpo në intensivë ka shkuar për shkak të covidit, në fakt ka vdek prej Covidit por jo me Covid”, ka thënë Raka.

Ai ka shtuar se mesatarja e vdekjeve në Kosovë para Covid-19, pra në vitin 2019, është rreth 8 mijë në vit.

“Në vitin tjetër pra në vitin e pandemisë 2020, në muajin e 7 apo 9, ka pasur mbi 10 mijë raste të vdekjes, kurse numri i vdekjeve nga Covidi ka qenë relativisht i vogël në atë kohë, dmth kjo nuk është në pjesën zyrtare as në Kosovë as në botë kështu që numri real i vdekjeve është më i madh, impakti është më i madh”, ka shtuar Raka.

Izet Rrahmani ka thënë se në kohën e pandemisë ka qenë hera e parë që njerëzit që kanë qenë të zot në punën e tyre u është dhënë mundësia të jenë në pozita udhëheqëse.

“Në infektivë, gati një muaj askush s’ka pranuar të jetë drejtor, klinika ka qenë me ushtrues detyre, edhe në plot institucione të tjera psh në mjekësinë sportive e dimë që kanë çu kardiolog atje është dalë që ka menaxhu shumë mirë me të por që më herët atij nuk i është dhënë shanca të menaxhoj me klinikën e vet”, ka thënë Rrahmani.

Gjendja e Klinikës së Pulmologjisë 3 vjet pas pandemisë

Shpëtim Thaçi, pulmolog ka thënë se fillimisht ai objekt nuk i plotëson kushtet elementare për të qenë klinikë e Pulmologjisë.

“Kur jemi përballur me pandeminë paramendojeni në çfarë gjendje ka qenë kjo klinikë. Nëse e krahasojmë me at të infektivës është larg më keq ajo e Pulmologjisë, sepse s’ka pas investime në këtë klinikë. Nëse e krahasojmë me tre vjet pas, janë bërë disa improvizime”, ka thënë Thaçi.

Thaçi ka shtuar se nga 20 dhoma të kësaj klinike, vetëm 3 prej tyre kanë qenë të pajisura me sistem të oksigjenit.

“Paramendojeni situatën e 2020-ës kur kishim numër enorm të pacientëve të cilët duhej të shtriheshin për shkak të gjendjes së rënduar. Momentalisht kemi të instaluar sistemin e oksigjenit pothuajse në secilën dhomë, pra ka ndikuar pandemia që kjo të bëhet”. Ka shtuar ai.

Sipas tij duhet të ndërtohet një klinikë e re e Pulmologjisë për shkak se kjo aktualja nuk i plotëson kushtet elementare.

‘Mikrobiologjia ia pa hairin Covid 19’

Lul Raka, mikrobiolog, ka thënë se për shkak të pandemisë, numri i laboratorëve është shtuar.

“Ëndërr e jona ka qenë që çdo institut rajonal të ketë një pajisje molekulare, për testim modern, u realizua ajo mos të ishte pandemia s’ish bo ajo”, ka thënë Raka.

Sipas tij kjo ka vazhduar edhe më tej.

“Në institutin tonë kemi blerë pajisje të teknologjisë së fundit për diagnostikë plus pajisje për sekuencim, ka edhe staf të cilët dinë t`i përdorin. Kjo ka qenë edhe mësimi më i mirë që është dashur ta ketë qeveria, dmth të marr vendime në bazë shkencore edhe për këto tre vjet na ka dëgju”, ka thënë më tej Raka.

Sipas tij në kohën e lirimit të masave para zgjedhjeve, para 14 shkurtit, Qeveria nuk e ka dëgjuar rekomandimin e profesionistëve shëndetësor.

“Nëse para zgjedhjeve i liron masat, në tubime ti s’munesh me i kontrollu sa po hyjnë në një sallë por në të njëjtën kohë ti i ke ndalu tubimet, atëherë ti e humbu besimin e popullatës”, ka thënë më tej Raka.

Hulumtuesi Ilir Hoxha, ka rrëfyer për rastin humbjen e anëtarëve të familjes si pasojë e Covid 19.

Babai i Ilirit ishte mjek dhe kishte humbur jetën si pasoj e Covidit.

“Edhe tezja edhe daja kanë vdekur nga komplikimet e virusit, tezja ka vdek në intensivë edhe informatat që i kam marr janë indikacione që ndoshta nuk është bërë kujdesi i duhur por kjo ka qenë sfidë jo vetëm për Kosovën por për krejt botën”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka shtuar se nuk ka pasur informacione të bollshme se qysh me menaxhu me virusin.

“Qysh me menaxhu, qysh po shpërndahet, cilat janë masat që duhet të ndermirën, shkencëtaret më të mëdhenj në botë e kanë pasur këtë dilemë”, ka thënë tutje Hoxha.

Izet Rrahmani, infektolog ka thënë se Kosova është njëra nga shtetet e para që e ka bërë Udhërrëfyesin për trajtimin e Covidit.

“Si janë dalë udhërrëfyesit e parë e kemi bërë në Kosovë, përdorimi i plazmës, protokollet, ajo çka duhet të nxjerrim është që Qeveria duhet të vazhdoj t`i konsultoj ekspertët shëndetësorë për sa i përket kësaj fushe sepse sa më i madh të jetë mendimi i ekspertëve më i madh do të jetë rezultati”, ka thënë Rrahmani.

Pasojat e virusit Covid 19

Lul Raka, mikrobiolog, në emisionin #KallxoPernime ka thënë se pasojat nga Covidi janë të shumta.

Ai ka renditur disa nga to duke thënë që asnjë njeri që është gjallë nuk është i njëjti siç ka qenë 3 vjet më parë.

“Punëtorët shëndetësor e kanë sindromin e lodhjes kronike me rraskapitje e humbje të motivimit, mezi pret me pushu, humbja e motivimit në pjesën e dytë të valës së virusit, erdh vala tjetër, lufta në Ukrainë që ndikoi indirekt në ngritjen e çmimeve dmth vjen në pyetje ekzistenca e krejt njerëzve por edhe e punëtorëve shëndetësor të cilët kanë qenë të ngarkuar tërë kohës”, ka thënë Raka.

Tutje ai ka shtuar se shtetet e zhvilluara kanë pasur nga fillimi program për mbështetje psikologjike për punëtorët shëndetësor dhe familjarët e tyre.

“Harresë kam po ia nisi prej vetes, harroj emrat, harroj fytyrat”, ka thënë më tej Raka.

Shpëtim Thaçi, pulmolog ka thënë se virusi ka atakuar më së shumti sistemin e frymëmarrjes.

“Një nga komplikimet më të mëdha që është zhvilluar është sindromi i distresit respirator, ku pacientët e tillë kanë kaluar në mjekim intensiv ose gjysmë intensiv dhe në momentin e intubimit të tyre, probabiliteti që këta pacientë të kalojnë këtë sfidë ka qenë i vogël”, ka thënë Thaçi.

Keqpërdorimi me antibiotik në kohën e pandemisë

Lul Raka, mikrobiolog, në emisionin #KallxoPernime ka thënë se në kohën e pandemisë është bërë keqpërdorim masiv me përshkrim të antibiotikëve.

Ai ka shtuar se në fillim të pandemisë e kanë pasur udhërrëfyesin ndërsa vitin e dytë e kanë përditësuar atë, sepse sipas tij ka pasur keqpërdorim me antibiotik.

“Problemi këtu ka qenë që pasqyra nuk ka ndërru nuk ka pasur mbikëqyrje të mjaftueshme në kujdesin parësor sidomos, te pacientët që s’kanë simptoma hiç, ose që kanë simptoma të lehta s’ki nevojë me bombardu me antibiotik që është i fundit që e përdorim”, ka thënë Raka.

Ai ka thënë gjithashtu që në bazë të një studimi në 50 spitale në Evropë, Kosova ka numrin më të madh të fëmijëve të porsalindur me imunitet ndaj antibiotikut më të fuqishëm, që përdoret vetëm në raste shumë të rralla.

“Antibiotiku ‘imipenem’, është i fundit që e kemi në rezervë edhe më i fuqishmi e kemi dhënë pa dhimt në kujdesin parësor, rezultatet e fundit që janë bërë 5 vjeçare në 50 spitale të Evropës, kanë treguar se në Kosovë ka dalë numri më i madh i fëmijëve të porsalindur me një baterie që është rezistent ndaj këtij antibiotiku më të fuqishëm. Nëse një fëmijë i porsalindur e ka atë mikroorganizëm, të cilin s`ke me çka me mjekue, kjo është alarm”, ka thënë Raka.