Protesta të vazhdueshme në Kinë kundër masave Covid

Protestat kundër kufizimeve të Covid që shpërthyen gjatë fundjavës në Kinë duket se kanë shënuar ulje të intensitetit, pasi një prani e madhe e policisë raportohet në qytetet kineze.

Barriera të mëdha janë ngritur përgjatë rrugës kryesore të protestës në Shangai dhe policia ka bërë disa arrestime.

Ata madje i kanë ndaluar njerëzit t’i fotografojnë protestat dhe i kanë detyruar të njëjtit t’i fshijnë fotot në pajisjet e tyre.

Protestat mbarëkombëtare u intensifikuan pas një zjarri në një bllok të lartë në Urumqi, në Kinën perëndimore, duke lënë të vrarë 10 persona të enjten e javës së kaluar.

Besohet gjerësisht se banorët nuk mund t’i shpëtonin zjarrit për shkak të kufizimeve të Covid, por autoritetet lokale e kanë kundërshtuar këtë.

Një gazetar i BBC-së u arrestua teksa po e mbulonte një protestë në Shangai të dielën. Ed Laërence u rrah dhe u shkelmua nga policia gjatë arrestimit të tij dhe u mbajt për disa orë përpara se të lirohej.

Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, ka shkruar në Tëitter se arrestimi ishte “thellësisht shqetësues”.

Kina mbetet e vetmja ekonomi e madhe me një politikë strikte zero-Covid, me autoritetet lokale që i shtypin edhe shpërthimet e vogla me testime masive, karantina dhe bllokime të menjëhershme.

Shumë pamje të protestave kundër bllokadës kanë dalë nga Shangai dhe kryeqyteti Pekin, si dhe zona të tjera të mëdha urbane si Chengdu dhe ëuhan.

Censura është tejkaluar në platformat e mediave sociale kineze që nga protestat e fundjavës, për t’i ndaluar njerëzit që t’i shohin dhe diskutojnë ato.

Dhjetëra miliona postime janë filtruar nga rezultatet e kërkimit, ndërkohë që mediat po e mbyllin mbulimin e tyre për Covid në favor të tregimeve optimiste rreth Kupës së Botës dhe arritjeve të Kinës në hapësirë.

Dhjetra protestues janë mbledhur në qendër të Hong Kongut të hënën, dhe në kampusin e Universitetit Kinez të Hong Kongut, në një shfaqje solidariteti me demonstratat në të gjithë Kinën.

Problemi i vaksinës në Kinë

Ndërkohë që Kina i zhvilloi vaksinat e veta kundër Covid, ato nuk janë aq të mira sa teknologjia mRNA – siç janë vaksinat Pfizer dhe Moderna – të përdorura diku tjetër.

Dy doza të vaksinës Pfizer/BioNTech japin 90% mbrojtje kundër sëmundjeve të rënda ose vdekjes kundrejt 70% me Sinovac të Kinës.

Gjithashtu, vaksinat nuk u janë dhënë njerëzve mjaftueshëm. Shumë pak nga të moshuarit – të cilët kanë më shumë gjasa të vdesin nga Covid – janë imunizuar.

Ekziston gjithashtu shumë pak “imunitet natyror” nga njerëzit që i mbijetojnë infeksioneve si pasojë e ndalimit të virusit në gjurmët e tij.

Kjo do të thotë se variantet e reja përhapen shumë më shpejt se virusi që u shfaq tri vjet më parë dhe ekziston një rrezik i vazhdueshëm që ai të importohet nga vendet që po e lejojnë përhapjen e virusit.

Qeveria kineze nuk i ka pranuar protestat apo nuk është përgjigjur në ndonjë mënyrë formale.

Ato paraqesin një sfidë të paprecedentë politike për presidentin kinez Xi Jinping.

Një numër i madh protestuesish kanë mbajtur fletë të zbrazëta – një taktikë për të protestuar duke shmangur censurën ose arrestimin.

Por të tjerët kanë shkuar shumë më tej dhe i kërkuan drejtpërdrejt udhëheqësit kinez Xi të tërhiqej.

Pavarësisht censurës së madhe, lajmet për demonstratat, videot dhe fotot janë përhapur përmes mediave sociale dhe aplikacioneve të mesazheve.

Artisti dhe regjisori kryesor disident kinez, Ai ëeiëei, i krahasoi politikat e rrepta të Kinës për Covid me skandalin e shëndetit publik të vendit të vitit 1990 në provincën e Henanit, ku njerëzit kishin fituar para duke shitur gjak, gjë që bëri që qindra mijëra të infektoheshin me HIV./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala