Gjyljeta Mushkolaj tërhiqet nga kandidatura për rektore të UP-së

E vetmja kandidate grua për rektore të Universitetit të Prishtinës, Gjyljeta Mushkolaj profesoreshë në Fakultetin Juridik është tërhequr nga kandidimi për këtë pozitë.

Kryesuesja e Senatit të UP-së, Eda Vula konfirmoi për KALLXO.com se sot ka pranuar letrën e tërheqjes së Mushkolajt.

Sipas Vulës, arsyeja e tërheqjes është se ajo është ftuar për të qenë hulumtuese në Universitetin e Çikagos.

“Sot në mëngjes kam pranu edhe unë një letër të profesoreshës Gjyljeta, e cila për arsye se ka marrë një ftesë nga Universiteti i Çikagos, do të jetë atje si hulumtuese dhe na njoftoi Senatin se tërhiqet nga kandidatura për pozitën e rektorit” – tha Kryesuesja.

Në mbledhjen e sotme të Senatit, Vula tha se kanë shqyrtuar raportin e komisionit profesional për kandidaturat, i cili dërgohet në Këshill Drejtues, i cili vazhdon me intervistimin e kandidatëve dhe përzgjedhjen e rektorit.

“Ne vetëm e njoftojmë Senatin për raportin e komisionit profesional i cili i dërgohet Këshillit Drejtues. Raporti i ka përcjell të pesë kandidatët që kanë apliku, ka përcjell listën me të gjitha të dhënat në Këshill Drejtues” – tha Vula.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga vetë Mushkolaj, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli, e njëjta nuk ka ofruar përgjigje.

Përveç saj, për pozitën e rektorit të UP-së ia kanë kandiduar edhe 4 burra Sefer Avdiaj, Isak Shabani, Faton Berisha dhe But Dedaj.

Sefer Avdiaj është prorektor për kërkime, projekte, inovacion dhe informacion. Avdiaj është edhe profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në UP, në departamentin e Fizikës.

Kandidati tjetër Faton Berisha është prorektor për personel akademik, integritet dhe botime. Edhe Berisha është profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në UP.

Isak Shabani është dekan në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në UP dhe së fundmi është zgjedhur për një mandat tjetër të dekanit në këtë Fakultet.

But Dedaj është profesor në Fakultetin Ekonomik të UP-së.

Avdiaj dhe Dedaj kishin kandiduar për pozitën e rektorit edhe në vitin 2022, kur u zgjodh rektori aktual i UP-së, Qerim Qerimi. Rektori aktual Qerim Qerimi ishte zgjedhur më 21.11.2022 dhe mandati i tij përfundon në shtator të vitit 2024.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës kishte njoftuar për hapjen e konkursit për zgjedhjen e rektorit të ri të UP-së, më 08.05.2024. Sipas njoftimit, konkursi ka qenë i hapur nga data 07.05.2024 deri më 21.05.2024.

Disa kritere të konkursit ishin që kandidati nuk duhet të ketë qenë në pozita udhëheqëse në ndonjë parti politike apo listë zgjedhore në nivel qendror e lokal në tri vitet e fundit.

Po ashtu si kriter është kërkuar që të ketë përvojë të dëshmuar akademike, kërkime shkencore dhe të ketë gradën e profesorit të rregullt; apo të ketë përvojë të dëshmuar menaxhuese universitare.

Informatat e plota për kriteret dhe konkursin mund t’i gjeni KËTU.