Gjykimi ndaj të akuzuarit për krime lufte Dushko Arsiq, rrëfimi i babait se si iu rrah djali

I akuzuari për krime lufte ndaj popullatës civile, Dushko Arsiq, është ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës për t`u përballur me akuzat që ngarkohen nga Prokuroria Speciale.

Në seancën e sotme u dëgjua dëshmitari i fundit i paraparë për këtë gjykim, Gani Krasniqi – babai i të dëmtuarit Artan Krasniqi, i cili vazhdoi dëshminë e tij të cilën nuk arriti ta përfundonte në seancën e 7 qershorit pasi ishte alivanosur.

Kështu dëshmitari Krasniqi sot u përgjigj në pyetjet e prokurorit Special Atdhe Dema, avokatit mbrojtës të të akuzuarit Nebojsha Vllaiq si dhe vetë të akuzuarit Dushko Arsiq.

I njëjti rrëfeu momentin kur e kishte parë djalin e tij Artan Krasniqi të gjakosur pasi supozohet të ishte rrahur nga forcat serbe gjatë luftës.

“Ka pasur gjakderdhje pa ndërpre prej hundës dhe gojës dhe ka pas gërvishje në fytyrë dhe ballë, me çizme ushtarake e kanë goditur”-  u shpreh ai.

Sipas Krasniqit, Dushko Arsiq ishte personi i cili e ka rrahur djalin e tij dhe i cili kishte vrarë një tjetër person gjatë luftës.

“Qeky është Dushko Arsiqi që e ka vra djalin, që e ka rrehë djalin tem…”-  tha ai.

“Unë e kom gjet kufomën atë ditë qe e ke vra, ti e ke vra…  Unë kom qenë në oborr me Azemin kur ka kris automatiku e kam ditur se u vra ky djal se më herët ka kaluar nga oborri i shtëpisë tonë dhe pastaj kam shkuar e kam vëzhguar vendin e kam ngritur lart gardhin e kam futur nën gardh që ta mbroj nga ujqit”-  tha dëshmitari lidhur me këtë çështje.

Lidhur me këtë kishte dëshmuar edhe R. Sh., i cili është vëllai i të vrarit B. Sh., në seancën e 7 qershorit të këtij viti.

Në seancën e sotme ishte paraparë të dëgjohej si dëshmitare edhe bashkëshortja e të akuzuarit Emiliana Arsiq, por që dëgjimi i të njëjtës nuk u bë i mundur.

Sipas kryetarit të trupit gjykues Vesel Ismaili, gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e dëshmitares pasi që e njëjta jeton në Serbi dhe gjykata nuk ka adresë për të njëjtën.

Kështu palët u pajtuan që të konsiderohen të lexuara deklaratat e saj në polici.

Seanca e radhës pritet të mbahet të premten më date 24 nëntor 2023.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com Dushko Arsiq së bashku me pjesëtarë të tjerë të Policisë Serbe dhe grupe paramilitare, në periudhën e luftës më saktësisht në muajt janar-qershor 1999 ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Prishtinës.

Tutje sipas Prokurorisë të njëjtit kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pastaj të njëjtave jua kanë vënë zjarrin me qëllim të dëmtimit të tyre e po ashtu ka marrë pjesë në keqtrajtimin e shqiptarëve ku disa prej tyre i kanë plagosur e disa prej tyre i kanë vrarë, thuhet në aktakuzë.

“I akuzuari ka marrë pjesë në ekzekutimin e viktimave, tani të ndjerit B. Sh., ashtu që më 20.02.1999 në fshatin Butovc, derisa viktima ka qenë duke ecur të njëjtin e kanë gjuajtur me armë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A. K. që në atë kohë ishte vetëm 15 vjeçar që trupin e B. Sh. ta mbaj në shpinë”-  thuhet tutje në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Dushko Arsiq në po të njëjtën datë dhe vendin e njëjtë fillimisht e ka ndalur të dëmtuarin A. K. që ishte 15-vjeçar, i akuzuari së bashku me ushtarët serb dhe paramilitarët urdhërojnë të dëmtuarin që të heq çantën që e ka pasur në shpinë e më pastaj i akuzuari i del prapa shpine dhe e godet të dëmtuarin me tytë të automatikut në pjesën e poshtme të shpinës.

“Pas goditjes nga i akuzuari, i dëmtuari bie në tokë, pastaj të njëjtit fillojnë ta maltretojnë, torturojnë dhe keqtrajtojnë fizikisht e psiqikisht. Pastaj i dëmtuari vëren dy persona tjerë të nacionalitetit serb të cilët i njeh, Dragan Niçiq dhe Boban (mbiemri nuk i kujtohet), e ku i dëmtuari i pyet që të dy ‘Pse bre kojshi kjo kështu’, Bobani përgjigjet ‘Komsho bre komshija, gde je Amerika’ (Kujt bre fqinj, ku është Amerika, çfarë fqinji)”.

Sipas aktakuzës, me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullatës civile.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK