I pandehuri Luan Statovci gjatë deklarimit të tij në seancën e datës 06.06.2024.
Kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues ndërpret seancën në rastin “Subvencionet 2”
Kërkesa e mbrojtësit të të pandehurit Luan Statovci, avokatit Naim Rudari për përjashtimin e trupit gjykues në rastin “Subvencionet 2” të përbërë nga: Violeta Namani Hajra – kryetare dhe anëtarët Vesel Ismaili, Rrahman Beqiraj ka ndërprerë seancën.
Avokati tha se prokurori ishte ftuar në zyrën e kryetares Namani Hajra, gjë e cila, siç u shpreh ai, vë në pikëpyetje paanësinë e kryetares.
“Nuk më ka ftuar askush, dhe nuk ka patur takim” – u kundërpërgjigj prokurori Rafet Halimi.
“Në këtë rast detyrohemi të bëjmë kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues” – deklaroi avokati Naim Rudari.
Lidhur me këtë kërkesë pritet të vendosë kryetarja e Gjykatës së Prishtinës, dhe deri atëherë gjykimi për rastin do të ndërpritet.
Seanca filloi me deklarimin e të pandehurit Luan Statovci, i cili vendosi që të mos mbrohej në heshtje, por të deklarohet.
I njëjti fillimisht u përgjigj në pyetjet e mbrojtësit të tij Naim Rudari, me ç’rast, ndër të tjera, tregoi për punën e tij në Ministrinë e Bujqësisë, duke treguar se në periudhën e fundit kishte qenë drejtor për pagesa direkte.
Sipas tij, drejtoria si detyrë kryesore e ka pasur implementimin e programit për pagesa direkte, përgatitjen e thirrjeve për aplikim, shqyrtimin e aplikacioneve në mënyrë administrative për të shikuar nëse janë plotësuar kriteret e përcaktuara nga Ministria e Bujqësisë në programin për pagesa direkte dhe udhëzimin përkatës administrativ.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit të shtetit Rafet Halimi, ai pohoi se në rolin që ushtronte ishte kompetent t’i nënshkruante listat për përfitim të subvencioneve.
Ai po ashtu pohoi se e njihte Blerim Mulliqin në cilësinë e shefit të inspektorëve të regjionit të Pejës.
“Gjatë masave të veçanta hetimore është vënë re se në ora 11:38 në zyrën tuaj ju pranoni 2,000 euro nga dëshmitari bashkëpunues Blerim Mulliqi?” – vazhdoi me pyetje prokurori Rafet Halimi.
“Po, kam pranuar 1,000 euro të borxhit dhe jo 2,000” – u përgjigj i pandehuri Luan Statovci.
Prokurori Rafet Halimi e pyeti Luan Statovcin se pse një fakturë e “Beda Pharm” është gjetur në telefonin e tij?
“Nuk e di” – u shpreh i pandehuri Luan Statovci.
Më tutje prokurori e ballafaqoi me disa SMS dhe prova të pandehurin, të cilat ai tha se ishin siguruar gjatë masave të veçanta hetimore. Por, me udhëzimin e avokatit, Luan Statovci refuzoi të përgjigjet.
Avokati Naim Rudari të njëjtat i cilësoi të paligjshme dhe tha se përgjigjja lidhur me to do t’i përligjte.
Gjykimi në rastin “Subvencionet 2” po zhvillohet vetëm për pesë të pandehur, përkatësisht: Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj, ani pse të akuzuar ishin 15 persona.
Cilat janë pretendimet e Prokurorisë?
Luan Statovci, Blerim Mulliqi akuzohen se në bashkëkryerje dhe në vazhdim kanë kryer veprën penale – marrja e ryshfetit.
Sabit Shkodra dhe Berat Nika akuzohen për veprën penale – keqpëdorim i autoritetit apo detyrës zyrtare.
Afrim Mehmetaj akuzohet për veprën penale – dhënie ryshfeti.
Kurse Rasim Zekaj dhe Hazir Metaj po akuzohen për dy vepra penale – dhënie ryshfeti dhe mashtrim me subvencione.