Arsyetimi i gjykatës për lirimin e Qemajl Mustafës dhe të tjerëve: Përgjimet janë bërë në mënyrë të paligjshme

Gjykata e Pejës ka vendosur që ta lirojë ish-kryetarin e Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafën dhe 35 të akuzuarit e tjerë nga akuzat për krim të organizuar.

Gjykata e Pejës ka gjetur se provat e nxjerra nga masat e fshehta, në të cilat mbështet aktakuza janë marrë në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

“..PSRK potencoi se e gjithë aktakuza është mbështet në provat e siguruara nga masat e fshehta – përgjim i telekomunikimeve, nga të cilat u vërtetua se të gjithë të akuzuarit veprimet e tyre inkriminuese i kishin bërë bazuar në komunikimet me sms me qellim të kurdisjes së procedurave të prokurimit dhe me këto veprime kanë shkel nenin..”, është thënë në arsyetim vendimit të shpalljes.

Në anën tjetër sipas gjykatës, te krimi i organizuar duhet përcaktuar se kush është organizatori i grupit kriminal, kur është formuar, kush e bën mbikëqyrjen dhe udhëheqjen e grupit, apo drejtimin e veprimeve të grupit kriminal.

“Pra që të gjithë të  akuzuarit sipas këtij cilësimi juridik PSRK i bën pjesëtar të grupit të organizuar kriminal e që në këtë rast mungon organizatori… pra në mënyrë të përgjithësuar aktivitetin e këtij grupi kriminal e ndërlidh me komunikimet përmes SMS, si prova të cilat janë marrë në mënyrë të kundërligjshme dhe si të tilla janë shpallë si të papranueshme”, thuhet tutje.

Pra, gjykata ka gjetur se edhe pse përshkrimi faktik i veprës penale të krimit të organizuar nuk është përpiluar komfor dispozitave të Kodit të Përkohshëm Penal, edhe veprimet inkriminuese janë ndërlidhur me prova të papranueshme, andaj dhe i ka liruar nga aktakuza.

Arsyet pse provat e marra nga masat e fshehta/përgjimi i telekomunikimeve janë në kundërshtim me dispozitat ligjore sipas gjykatës, në radhë të parë qëndrojnë në atë se Gjykata e Gjilanit ka lëshuar urdhëresë për masa të fshehta për Qemajl Mustafën, Hatixhe Dakun dhe Nazmi Jasharin, mirëpo në këtë urdhëresë nuk ishte cekur se ekziston dyshimi i bazuar për ndonjë vepër penale.

Ndërsa, për të ardhur deri të fakti se për cilën vepër është kërkuar lëshimi i urdhëresës nga ana e prokurorisë, Gjykata e Pejës ka gjetur se kjo kërkesë e prokurorisë nuk ekziston në shkresa të lëndës, madje sipas gjykatës të njëjtën nuk ka mund ta sigurojë as vetë prokuroria.

“Po ashtu neni 257 par.3 i KPP përcakton se masa e fshehtë/përgjimi i telekomunikimeve mund të lëshohet vetëm në procedurë penale, e që në rastin konkret ende nuk kishte filluar hetimi, hetimi filloi tri vite me vonesë pra në vitin 2015”, thuhet tutje në arsyetim të gjykatës.

Andaj Gjykata e Pejës vlerëson se këto prova që janë marrë nga masat e fshehta – përgjimi i telekomunikimeve janë prova të papranueshme.

Shkelja tjetër e gjetur sipas Gjykatës së Pejës ndërlidhet me mosveprimin nga prokuroria, pasi sipas ligjit prokurori ka obligim që brenda 6 muajve të njoftoj personat që i janë nënshtruar masës, kur më nuk ka dyshim të bazuar apo nuk është ngritur aktakuzë brenda një viti nga përfundimi i afatit të lëshimit të masës, e tërë kjo me qellim që atyre t’iu mundësohet ankesë për ligjshmëri të provave.

Shkeljet sipas gjykatës nuk ndaluan pasi PSRK në vitin 2015 ka filluar hetimet për 39 të pandehur edhe pse për 36 prej tyre nuk kishte pasur urdhëresë për masë të fshehtë, çka gjykata ka vlerësuar të jetë në kundërshtim me dispozitat ligjore pasi për të njëjtit duhet lëshuar urdhëresë të veçantë.

“.. e që në rastin konkret PSRK u mjaftua që në veprimet inkriminuese për 36 të pandehur të tjerë t’i mbështes në sms të siguruar nga urdhëresa e lëshuar për Qemajl Mustafën, Hatixhe Dakun dhe Nazim Jasharin”

Gjykata tutje thotë se aktakuza e ngritur në vitin 2016 në pikën e parë përfshin periudhën kohore të kryerjes se veprës penale nga viti 2008 deri 2011, e që veprimet inkriminuese për të gjithë të pandehurit i ndërlidh me komunikime me sms që sipas arsyetimit kuptohet se sms ishin siguruar për vitin 2011/2012.

Për fund, gjykata thotë se i ka vlerësuar edhe provat e tjera, por nga asnjë provë e vetme nuk ka arritur të vërtetojë kryerjen e veprës penale përtej dyshimit të bazuar.

Në dhjetor të vitit 2021, kur ishte caktuar shpallja e aktgjykimit për këtë rast, gjykata kishte vendosur që ta rihapë këtë çështje.

Me këtë aktakuzë, Prokuroria pretendon se kishte zbuluar një grup kriminal në krye me ish-kryetarin e Gjilanit, i cili kontrollonte dhe i kurdiste tenderët për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

Sipas Prokurorisë Speciale, pronarët e kompanive që akuzohen në këtë proces me rastin e ofertimit në tenderët e Komunës fillimisht e kontaktonin Qemajl Mustafën dhe më pas koordinoheshin në mes veti se cili nga ta do të shpallej fitues në tenderin e caktuar duke i kurdisur kështu aktivitetet e prokurimit.

Procesi gjyqësor ndaj ish-kreut të Gjilanit është përshkruar me zvarritje të shumta procedurale.

Aktakuza për këtë rast penal ishte kthyer dy herë për plotësim dhe ndryshim nga gjyqtari Lokaj, i cili kishte udhëhequr me këtë proces gjyqësor, por pas pensionimit tani në krye të trupit gjykues është gjykatësja Kuka-Mekaj.

Pasi ishte plotësuar dy herë akti akuzues, gjyqtari i çështjes Sylë Lokaj gjatë vitit 2017 e kishte hedhur poshtë krejtësisht aktakuzën.

Hedhja poshtë e aktakuzës nga ish-gjyqtari i Krimeve të Rënda nuk ishte aprovuar nga Gjykata e Apelit, e cila kishte konstatuar se gjyqtari nuk kishte dhënë arsye se pse ishte hedhur poshtë akti akuzues.

Pas këtij vendimi të Apelit, Gjykata në Pejë e kishte mbajtur shqyrtimin fillestar dhe i kishte pranuar ankesat e të akuzuarve.

Pas trajtimit të këtyre ankesave përsëri gjyqtari Sylë Lokaj e kishte hedhur aktakuzën mirëpo kësaj radhe e kishte hedhur vetëm pikën e krimit të organizuar dhe jo në tërësi aktakuzën.

Sikurse me vendimin paraprak, as me vendimin e dytë për hedhjen poshtë të krimit të organizuar nuk u pajtua gjykata e Apelit.

Apeli me vendimin e vitit 2019 e kishte urdhëruar gjyqtarin Sylë Lokaj që të fillonte gjykimin për krim të organizuar kundër ish kreut të Gjilanit dhe të tjerëve.

Në ketë proces ish-kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa akuzohet se ka qenë “koka” e një grupi kriminal i cili është marrë me kurdisjet e dhënies së tenderëve për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

Prokuroria pretendon se kompanitë në Gjilan i fitonin tenderët në bazë të kurdisjeve me ish-kryetarin dhe menaxheren e prokurimit.

Në aktakuzë thuhet se Qemajl Mustafa duke e përdorur fuqinë e tij si kryetar i komunës ka koordinuar dhe ka qenë në dijeni për të gjitha aktivitetet e prokurimit, me ç’rast ai vendoste edhe për caktimin e anëtareve të komisioneve vlerësuese të dhënies së tenderëve.

Sipas Prokurorisë Speciale grupi në krye në Qemajl Mustafën kishte për qëllim dhënien e tenderëve për kompanitë e ndryshme duke i eliminuar kompanitë me ofertat me të volitshme.

Në aktakuzë pretendohet se Qemajl Mustafa ne mënyre arbitrare pa  respektuar procedurat e prokurimit i kishte dhëne pune kompanisë “Bejta Comerce” me pronar të pandehurin Basri Kqiku në shume prej  787,000.00 euro.

Prokuroria i akuzonte të pandehurit: Qemajl Mustafa, Hatixhe Daku, Vehbi Geci, Qefsere Sadriu, Ilaz Rashiti, Musa Nasufi, Muhamet Kastrati, Heset Mahmuti, Fatmir Halili, Drita Bajrami, Agim Hoxha, Ramush Musliu, Selvije Shefkiu, Ganimete Kastrati, Shemsedin Qerimi, Merita Canaj Shabani, Ibrahim Foniqi, Hamdi Ismajli, Fadil Osmani, Heset Asllani, Selver Xhelili, Qemajl Latifi, Enver Biqku, Asllan Mustafa, Naser Sylejmani, Zeqirja Fazliu, Azem Mujku dhe Naim Jashari, për veprën penale – krimi i organizuar lidhur me veprën penale shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit.

Pjesë e aktakuzës ka qenë edhe Behar Mehmeti por procedura ndaj tij është ndërprerë.

Ndërsa të pandehurit: Basri Kqiku, Avdyl Pireva, Rrustem Hajdari, Florim Zuka, Skender Imeri, Naser Mehmeti, Mejdi Ahmeti, Burim Govori, Asllan Asllani dhe Asllan Syla, akuzoheshin për veprat penale – krimi i organizuar lidhur me veprën penale -keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi.