Foto: KALLXO.com

Gjykimi i luftëtarit të UÇK-së për krime lufte, dëshmitari rrëfen se si kishte mjekuar të plagosurit

Remzi Shala, i njohur në kohën e luftës me nofkën “Molla e Kuqe”, është ulur në bankën e të akuzuarve për t’u ballafaquar me aktakuzën e Prokurorisë Speciale për krime lufte.

Shala po akuzohet se në qershor të viti 1998, bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së, kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Gjatë ditës së mërkurë, me propozimin e prokurorit Haki Gecaj ka dhënë dëshminë mjeku Agim Hazrolli, i cili  sqaroi rrethanat të cilat lidhen me dëshminë e dëshmitarit Mefail Helshani.

Mifail Helshani gjatë deklarimit të tij kishte mohuar se në qershor të 1998, në pikën e rojës në lagjen Sopa, ai ishte takuar me Xhafer Shukollin, Agron Përteshin  dhe të akuzuarin Remzi Shala.

Ai ka argumentuar se në këtë periudhë ka qenë i plagosur rëndë ku ishte mjekuar nga mjeku Agim Hazrolli.

Tensione në gjykimin e ish – komandantit “Molla e Kuqe” i akuzuar për krime lufte

Lidhur me këtë, dëshmitari Hazrolli deklaroi se nga periudha maj-qershor 1998, kishte shërbyer si kirurg për shërimin e ushtarëve të UÇK-së, ku me këtë rast kishte mjekuar edhe Mifail Helshanin.

“Kam pasur një pacient të plagosur rëndë, ka qenë i lënduar. Me sa më kujtohet diku në fund të muajit maj –në fillim të qershorit të vitit 1998. Nuk më kujtohet saktë, qershor apo në fillim të korrikut”, tha ai.

Hazrolli përpara trupit gjykues bëri të ditur se për këtë ekzistonin edhe evidencat e kontrolleve.

Pas përfundimit të dëshmisë, seanca e radhës u caktua për nesër, datë 2 qershor 2022.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Sipas Prokurorisë,  Remzi Shala, i njohur me nofkën e luftës “Molla e Kuqe”, i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Lidhur me këto akuza, më 3 korrik 2019, Remzi Shala ishte dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 14 vite burgim.

Kurse, nga 14 vite burgim sa ishte gjykuar nga ana gjykatës së shkallës së parë, të akuzuarit Remzi Shala nga Gjykata e Apelit i ishte zbutur dënimi në 10 vite burgim.

Pas këtij vendimi, Gjykata Supreme kishte anuluar këto dy aktgjykime dhe çështja i ishte kthyer Gjykatës së shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje.

Kallxo.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Emisionin e plotë për aktakuzën ndaj ish-ushtarit të UÇK-së Remzi Shala mund ta shikoni këtu:

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Remzi Shala mund t’i lexoni në LINK.