Arkiv - Granit Elshani në gjykatë. Foto: Kallxo.com

Gjykimi i Granit Elshanit pritet të vazhdojë në muajin mars

Procesi gjyqësor ndaj Granit Elshanit, i akuzuar për vrasje pritet të vazhdojë në muajin mars.

Një anëtar i familjes Kelmendi nga Peja u plagos më 2 janar të vitit 2010 gjatë një gjuajtje me armë brenda diskotekës që la tre të plagosur dhe një të vdekur.

Për këtë ngjarje, po gjykohet Granit Elshani për të tretën herë, nga Gjykata e Gjakovës, pranë trupit gjykues me kryetar Mentor Bajraktari e anëtarë Nikollë Komani dhe Shaqir Zika.

Sipas Prokurorisë, natën kritike Granit Elshani e kishte shënjestër të vrasjes Valdet Kelmendin, por vrau Besart Shabin që kishte qëlluar afër tij.

Përpos këtyre dyve, atë natë lëndime kishin pësuar edhe persona të tjerë që ishin mbledhur për të festuar, ndër ta edhe zyrtari policor Hasan Buqaj.

Sot, dëshmitari Esat Osmani, tregoi se në janarin e vitit 2010 kishte qenë në diskotekën “City Club”, në Pejë, ku tashmë i ndjeri Besart Shabi i njohur si Kaqa, i kishte thënë që të bëhen kontrollat e mysafirëve në hyrje të lokalit, përveq të njofshmëve që kanë për të shkuar në katin e dytë.

Esat Osmani tregoi se personi me dy revole ishte rrëzuar në tokë dhe pastaj ishte ngritur dhe se më pas e kishte parë Kaqën-trupin e tij duke e larguar njerëzit jashtë.

Osmani tregoi se personi që kishte parë duke gjuajtur kishte qenë rreth 1.80 metra i gjatë, me pak mjekër, të veshur një jakne të kaftë dhe diku rreth 75-80 kg i plotë, me një armë ngjyrë metalike dhe një të zezë.

“Atë natë Policia i ka kapur 3 persona dhe të njëjtit mi ka prezentuar ti shoh, të cilët nuk kam mujt me i identifiku dhe të them që ky ka qenë personi me armë”- deklaroi dëshmitari Esat Osmani.

Osmani tha se për Valdet Kelmendin, personin e njohur si Lara kishte dëgjuar që është plagosur atë natë, por që të njëjtin nuk e kishte parë.

Në pyetjen e mbrojtëses së të akuzuarit Granit Elshani, avokates Kosovare Kelmendi se a ka pasur lokali dy hyrje dhe a është kontrolluar secili njeri,
Osmani, tha se ai kishte njohuri për vetëm një hyerje të lokalit dhe se secili njeri është kontrolluar.

“Nuk ka mund që një njeri i panjofshëm të hyjë me armë brenda”- tha dëshmitari Esat.

Më pas, dëshmitari Shpat Ukella, tregoi se natën e 2 janarit 2010 kishte qenë në diskotekë me shoqëri.

Ai tha se atë kohë kishte qenë shumë i ri dhe nuk mban mend gati asgjë dhe se i njëjti qëndron pranë deklaratës së dhënë në fillim në Polici.

Konflikti pejan që mori shumë jetë njerëzish, kishte nisur qysh në vitin 2000.

Ndërsa, dëshmitari Valbon Ademi, tregoi se ka parë një person, i cili ka gjuajtur dhe të gjithë janë shtrirë në tokë.

Ademi tha se Kaqen e Laren i kishte parë njëherë duke biseduar bashkë te bina e diskotekës, ndërsa më nuk i kishte parë.

Seanca e radhës u caktua me datën 1 dhe 5 mars .

Granit Elshani i takon familjes Elshani nga Ozdrimi i Pejës, e cila në aktakuzën e prokurorisë pretendohet se ka hasmëri me familjen Kelmendi që nga viti 2000.

Në maj të vitit 2018, Gjykata e Pejës e gjeti fajtor Granit Elshanin dhe e dënoi me 25 vjet burgim, mirëpo Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Në aktakuzën e prokurorit të EULEX-it, ishte përshkruar konflikti mes dy familjeve që kishte marrë jetën e 23 personave.

Aktakuza thotë se natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por për fat të keq Besart Shabi kishte qëlluar afër tij.

Aktakuza shpjegon se në këtë konflikt familjesh kanë ndodhur 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë- 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit, e në mesin e tyre edhe dy fëmijë.

Gjatë incidenteve ishin plagosur 38 persona, prej të cilëve 15 nga familja Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit.

Granit Elshani akuzohet për vrasje të rëndë, tri tentim vrasje të rënda, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Këto akuza janë konsumuar natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club” në Pejë.

Në përballjen me gjykatën, Granit Elshani kishte mohuar se kishte qenë personi që kishte shtënë me armë zjarri në diskotekë.

Askush nga dëshmitarët nuk kishin arritur ta identifikonin Elshanin si personi që kreu vrasjet.

Ndërsa Xhevdet Kelmendi, njëri nga pjesëtarët e gjallë të familjes Kelmendi, kishte thënë që atë natë Graniti ka gjuajtur me dy armë në drejtim të vëllaut të tij Valdetit.