Rrëfimi i Xhevdet Kelmendit për vrasjef në konfliktin Elshanëve dhe Kelmendëve

Pak ditë pasi ka shpëtuar nga një atentat në Pejë, njëri nga pjesëtarët e rritur të familjes Kelmendi ka rrëfyer në gjykatën e Pejës për konfliktin në mes dy familjeve.

I shoqëruar nga eskorta e policisë, Kelmendi është thirrur dëshmitar në gjykimin ndaj Granit Elshanit, pjesëtarit të familjes Elshani, për të cilin prokuroria pretendon se ishte dorasi në ngjarjen e fillimvitit 2010 në diskotekën e Pejës ku u vra Besart Shabi.

Dëshmia e Kelmendit ka nisur vetëm pasi Granit Elshani është deklaruar se e ndien veten të pafajshëm për këtë ngjarje.

Konflikti pejan që mori shumë jetë njerëzish, sipas Kelmendit, kishte nisur qysh në vitin 2000.

Ai rrëfeu se natën kritike kishte qenë së bashku me të vëllain Valdetin (i vrarë në qendër të Pejës në mars të vitit 2014).

“Fillimisht aty ka pasur 3-4 gjuajtje brenda në diskotekë, unë e kam parë personin i cili ka qenë më i shkurtër se unë, as i trashë as i ligsht, ka pasur të veshur një jakne të ushtrisë ngjyrë të gjelbër”, ka rrëfyer Kelmendi.

Ai ka sqaruar se të shtënat ishin drejtuar në drejtim të Valdetit dhe Besartit ndërsa më pas edhe në publik.

I mbijetuari i Kelmendëve ka bërë përgjegjës për ngjarjen në diskotekë Granit Elshanin.

“Jam i sigurt që Graniti ka gjuajtur atë natë me armë”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka sqaruar edhe konfliktin në mes familjeve duke thënë se Elshanët kanë kërkuar një pajtim, por “janë njerëz më të pabesët në shqiptari”.

“E ndjej vetën të rrezikuar por jo të frikësuar”, rrëfeu Kelmendi.

Ai ka renditur edhe pjesëtarët e familjes Kelmendi të vrarë ndër vite.

“I pari është vrarë mixha im Ismeti me të fejuaren e tij. Tutje është vrarë motra dhe çika e hallës 14 vjeçare dhe dy shokë të tjerë. Të vrarë janë edhe vëllai Valoni 18 vjeç”, tha ai.

Dëshmitari ka rrëfyer sa nga familja është i vrarë edhe babai i tij, axha tjetër, Rexhepi, dhe i vëllai Valdeti.

Ai ka rrëfyer edhe për atentatet ndaj tij. I pari, sipas Kelmendit, ka qenë te varrezat ku i ishte montuar një eksploziv afër varrit të të vëllait si dhe dy sulme me kallashnikov në njërin nga të cilët ishte plagosur vet Xhevdeti. Ai ka sqaruar se babai i tij nuk kishte pasur probleme me Elshanët por axhallarët e tij.

“E vërteta është se unë me vëllezërit e mi dhe babin nuk kemi pasur asgjë me Elshanët, e sa më kujtohet as me persona të tjerë, por probleme kanë pasur axhallarët e mi”, rrëfeu Kelmendi.

Xhevdet Kelmendi ka vazhduar rrëfimin e tij duke u përballur me avokatin Ndrecë Dodaj i cili e ka pyetur për ndërrimet e deklaratave.

“E vërteta është ajo çka kam thënë ditën e fundit më 22 janar 2018, ndërsa atë kohë menjëherë pas ngjarjes unë nuk kam dashur të deklarohem sepse personi i dyshuar është lëshuar menjëherë nga Policia”, deklaroj Xhevdet Kelmendi.

Gjatë dëshmisë së tij, Kelmendi ka pasur edhe një përplasje me avokatin Dodaj kur ky i fundit e ka pyetur nëse për rastin kishte ndonjë person të arrestuar.

“Ju keni qenë prokuror në atë kohë, u dashtë me ditë më mirë dhe për ne keni thënë që jemi kriminela”, ka thënë Kelmendi.

Ndërsa Dodaj replikoi: “Nëse do më kishit dëgjuar mua, ju dhe policia, atëherë nuk do vinin punët deri këtu”.

Dëshmi të tjera

Granit Elshani është i  akuzuar për vrasjen e Besart Shabit.

Në gjykatore, për të rrëfyer ngjarjen është thirrur edhe Besnik Shabi, i vëllai i të vrarit.

“Vëllai ka qenë bashkëpronar i asaj kafe. Pas ngjarjes na kanë ndihmuar shumë persona por njëri ka qenë i dyshimti sepse në zarf ka pasur 1500 ose 2000 euro. Zarfin ma ka sjellë Korab Belegu, pasi kam kontaktuar me këtë person më ka thënë që këto para janë prej tezakëve të Elshanëve prej Zvicrës, mirëpo unë të hollat ia kam kthyer mbrapa”, tha dëshmitari Besnik Shabi.

Dëshmitari rrëfeu se pas ngjarjes dikush e ka thirrur në telefon dhe i ka thënë që familja Elshani nuk qëndron prapa kësaj vrasje.

Rrëfimi i policit

Hasan Buçaj, një pjesëtar i Policisë së Kosovës, kishte rastisur afër ngjarjes në diskotekën “City Club”. Ai ishte plagosur gjatë ndjekjes së personit që qëlloi brenda diskotekës.

“Atë natë pas të shtënave të dëgjuara kam parë që kanë rënë përtokë dhe atë moment e kam parë gjuajtësin me jakne me ngjyrë të gjelbër me kapelën e jaknes në kokë. Ka shtënë në të dyja anët në ajër dhe ka vrapuar drejt daljes. Pastaj kam nxjerrë armën zyrtare dhe e kam ndjekur dhe i njëjti ka shtënë disa herë në ajër”, ka rrëfyer polici Buçaj.

Ai ka rrëfyer edhe momentin kur plumbi e kishte kapur në ndjekje e sipër.

“Kam vazhduar duke i thënë ‘Ndal, Policia’ dhe ai ka shtënë me dorën e majtë mbrapa dhe më pas e kam vërejtur që jam shtanguar, më ka humbur fuqia dhe kam qëlluar njëherë drejt gjuajtësit por nuk kam mundur ta identifikoj personin dhe i njëjti ka pasur dy revole në dorë”, tha Buçaj.

Procesi gjyqësor ndaj Granit Elshanit ka rinisur pasi gjykata e Apelit e ka rikthyer në rigjykim çështjen.

Gjykimin e sotëm e udhëhoqi gjykatësi Sylë Lokaj bashkë me gjyqtarët Sulltan Dobraj dhe Prek Palushi ndërsa aktakuza përfaqësohet nga prokurori Afrim Shefkiu.

Historia sipas aktakuzës

Granit Elshani i takon familjes Elshani nga Ozdrimi i Pejës, e cila në aktakuzën e prokurorisë pretendohet se ka hasmëri me familjen Kelmendi që nga viti 2000.

Në maj të vitit 2018, Gjykata e Pejës e gjeti fajtor Granit Elshanin dhe e dënoi me 25 vjet burgim, mirëpo Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim.

Në aktakuzën e prokurorit të EULEX-it, ishte përshkruar konflikti mes dy familjeve që kishte marrë jetën e 23 personave.

Aktakuza thotë se natën kritike Granit Elshani, shënjestër të vrasjes kishte anëtarin e familjes Kelmendi, Valdetin, por për fat të keq Besart Shabi kishte qëlluar afër tij.

Aktakuza shpjegon se në këtë konflikt familjesh kanë ndodhur 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë- 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit, e në mesin e tyre edhe dy fëmijë.

Gjatë incidenteve ishin plagosur 38 persona, prej të cilëve 15 nga familja Kelmendi, shtatë nga familja Elshani dhe 16 viktima të rastit.

Granit Elshani akuzohet për vrasje të rëndë, tri tentim vrasje të rënda, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Këto akuza janë konsumuar natën e 2 Janarit 2010 në diskotekën “City Club”në Pejë.

https://kallxo.com/historite-e-granit-elshanit-nga-vetedorezimi-deri-te-denimi/

Në përballjen me gjykatën, Granit Elshani kishte mohuar se kishte qenë personi që kishte shtënë me armë zjarri në diskotekë.

https://kallxo.com/granit-elshani-deklarohet-pafajshem-per-vrasjen-e-vitit-2010/

Askush nga dëshmitarët nuk kishin arritur ta identifikonin Elshanin si personi që kreu vrasjet.

Ndërsa Xhevdet Kelmendi, njëri nga pjesëtarët e gjallë të familjes Kelmendi, kishte thënë që atë natë Graniti ka gjuajtur me dy armë në drejtim të vëllaut të tij Valdetit.