Gjykimi i Ekrem Bajroviqit për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë, dëshmitari: E pash të akuzuarin brenda në oborr

Në Gjykatën e Prishtinës sot vazhdoi gjykimi i Ekrem Bajroviqit, i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare gjatë viteve të luftës vitet 1998 – 1999 në fshatin Staradran të Istogut si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe.

Seanca e sotme filloi me dhënien e fjalëve hyrëse nga palët ndërsa vazhdoi me dëshminë e të dëmtuarit Naim Elshani, i cili rrëfeu përjetimet e tij.

Në fjalën hyrëse, prokurori i rastit, Ilir Morina, tha se në këtë gjykim do të vërtetohet se i akuzuari Bajroviq ka qenë pjesëtar i strukturës së organizuar ushtarake dhe policore jugosllave.

Morina tha se në këtë gjykim po kërkohet drejtësi për viktimat civile të vrara.

“Sot jemi këtu për të kërkuar drejtësi për 16 civilë shqiptarë të vrarë nga forcat policore dhe ushtarae serbe ku bënte pjesë edhe i akuzuari” – u shpreh prokurori Ilir Morina.

Prokurori Morina tha se në këtë gjykim do të dëgjohen dy kategori të dëshmitarëve. Në grupin e parë bëjnë pjesë dëshmitarët okularë të vendit të ngjarjes ndërsa grupi tjetër do të tregojë për rolin e të akuzuarit gjatë luftës por edhe para luftës, duke përfshirë raportin e tij me popullsinë civile shqiptare.

Në sallën e gjykimit prezentë ishin edhe 16 prej 35 palëve të dëmtuara në këtë procedurë. Të gjithë e mbështetën fjalën e prokurorit, e disa të tjerë e morën edhe vetë fjalën.

Ndër ta ishte edhe Adem Geca, i cili para Gjykatës prezantoi një foto të tij në të cilën shihej ai i përgjakur pas rrahjes gjatë kohës së luftës.

“Të kam pasë thënë që kemi me u pa një herë unë dhe ti” – iu drejtua ai të akuzuarit gjatë seancës. “220 arsimtarë janë të përgjakur kështu, gjithnjë ka qenë prezent, a unë jam viktimë e këtij direkt” – shtoi ai.

Tutje fjalën hyrëse e dha edhe mbrojtja e të akuzuarit Bajroviq, gjegjësisht avokatit Lubomir Pantoviq dhe Millosh Dejeviq.

Avokati Pantoviq në emër të mbrojtjes tha se nuk i mohojnë krimet e kryera në fshatin Staradran mirëpo theksoi se për të mbrojturin e tij Bajroviq nuk ka prova të ketë qenë i përfshirë.

“Në çfarëdo lloj mënyre nuk do të vë në dyshim faktin që në fshatin Staradran më 30 maj të vitit 1999 janë kryer vrasje të vendasve shqiptarë… Mirëpo nuk ekzistojnë prova të besueshme se i pandehuri Ekrem Bajroviq ka qenë pjesë në kryerjen e krimeve të luftës ashtu siç thekson Prokuroria Speciale“ – tha Pantoviq.

Tutje gjykimi vazhdoi me dhënien e dëshmisë së Naim Elshanit, i cili para Gjykatës rrëfeu se si e kishte parë të akuzuarin Bajroviq në uniformë policore në oborrin e shtëpisë ku akuzohet të ketë kryer krimet.

“Ekrem Bajroviqi ka qenë në sekonda kur e kam parë, ka qenë afër dyerve të oborrit, brenda oborrit. Ai ka qenë momenti kur e kam parë të pandehurin ngase e kam njohur shumë mirë. Uniformë luftarake ka pasë. I armatosur ka qenë, me ‘Kallashnikov’ ka qenë, shumë mirë më kujtohet, arma ka qenë “Kallash” jugosllav më duket” – tha dëshmitari Elshani.

Përveç kësaj, ai rrëfeu se si e kishte përjetuar ditën e 8 majit të vitit 1999 kur, sipas aktakuzës, nga kolona e civilëve për në Shqipëri ishin ndarë burrat dhe ishin dërguar në oborrin e një shtëpie ku disa ishin rrahur e disa ishin ekzekutuar.

“Ka pasë një sëpatë dhe një thikë dhe thoshte: “Kam me jua pre kryet nëse ju gjej diçka në xhepa”. Ai u drejtua në gjuhën shqipe. Sa unë kam mund me identifiku ai ka qenë paramilitar” – deklaroi Elshani.

“Thash o Zoti im, të lutem, nëse ka Zot më ndihmo. Nëse ka thënë Zoti me vdekë, amin kam ba. Në sekondat e fundit kjo ka qenë lutja në heshtje. Nuk më ka dëgju askush, vetëm Zoti dhe unë. As nuk kam ndi krismë, as nuk kam ndi dhimtë, pa vetëdije kam ra në tokë. Nuk e di sa kam qëndru, një orë apo dy”  -u shpreh tutje i njëjti.

Pasi u përgjigj në pyetjet e Prokurorisë, mbrojtja duke përfshirë avokatët dhe të akuzuarin deklaruan se nuk kanë asnjë pyetje për t’i parashtruar dëshmitarit.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 26 janar të vitit që vjen.

Sipas aktakuzës, gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, në komunën e Istogut si dhe në fshatrat përreth, Bajroviq ka kontribuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës dhe trajtimit në mënyrë çnjerëzore të popullatës civile.

Këto veprime akuzohet t’i ketë kryer si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, në mënyrë individuale si dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë.

Aktakuza thotë se në fshatin Staradran, më 8 maj të vitit 1999, kolona e popullsisë civile që po shkonte në drejtim të Shqipërisë ishte ndalur nga këto forca policore dhe ushtarake serbe, pjesë e të cilave ishte edhe Bajroviq, me ç’rast ishin ndarë burrat nga pjesa tjetër e grupit.

Fillimisht, atyre u ishin marrë paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e më pas ishin vendosur në oborrin e shtëpisë së një personi ku ishin renditur me radhë, me duar të ngritura lart dhe me fytyrë nga muri i oborrit, me ç’rast forcat serbe i kishin sulmuar fizikisht dhe rrahur me mjete të ndryshme, thuhet në aktakuzë.

Gjatë kësaj kohe, sipas aktakuzës, iu ishin drejtuar me fjalët: “Ku e keni NATO-n?” e “Ku e keni UÇK-në?”.

Aktakuza thotë se më pas ishin dërguar në një shtëpi, në të cilin kishin pushkatuar së paku 16 prej civilëve shqiptarë, vetëm një prej të cilëve kishte mbijetuar i plagosur.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, i akuzuari më 7 maj të vitit 1999 kishte marrë pjesë në arrestimin, kidnapimin dhe keqtrajtimin e 84 civilëve shqiptarë, të cilët fillimisht i kishin ndarë nga kolona dhe i kishin marrë të gjitha paratë e sendet me vlerë.

Më pas këta persona i kishin dërguar në Gurakoc, në një lokal, në të cilin i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë çnjerëzore e më pas i kishin transferuar në stacionin policor në Gurakoc.

Sipas aktakuzës, kolonës i ka prirë i akuzuari Ekrem Bajroviq, i cili kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut një person në anën e djathtë nën brinjë.

Kurse më pas, sipas aktakuzës, pas vendosjes së civilëve në stacion policor, i kanë torturuar në mënyrë çnjerëzore, dhunë psiqike, duke i kanosur për jetë. Më tej në aktakuzë thuhet se përveç lëndimeve të rënda trupore u janë shkaktuar trauma dhe pasoja në shëndet.

Sipas aktakuzës, këto veprime sanksionohen sipas ligjeve vendore si dhe Konventës Ndërkombëtare të Gjenevës.

Aktakuzën po e përfaqëson prokurori special Ilir Morina, kurse rastin po e gjykon gjyqtari i Departamentit Special, Mentor Bajraktari.