Foto: Kallxo.com - Ilustrim

'Gjykimet e Vizave', Krerët e Drejtësisë i Pranojnë Dështimet

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” kësaj radhe transmetoi hulumtimin për rastet e korrupsionit të cilat janë shënjestruar si kusht për procesin e liberalizimit të vizave.

Hulumtimi i realizuar nga BIRN dhe Internews Kosova nxori në pah probleme serioze ne rastet e shënjestruara. Raporti i titulluar “Liberalizimi i Korruptuar” dëshmon për vonesat deri në mijëra ditë nga ana e Gjykatave dhe Prokurorive tona në trajtimin e rasteve të shënjestruara.

Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i shtetit lidhur me të gjeturat e raportit të BINR dhe Internews Kosova, tha se pajtohet plotësisht me gjetjet e raportit.

“Plotësisht pajtohem se nuk kemi përparim dhe rezultate konkrete sa i përket vendimeve përfundimtare. Dhe në këtë drejtim duhet që të angazhohemi të gjithë që të kemi rezultate më të mëdha sa i përket vendimeve përfundimtare”, tha Lumezi.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, i pari i Gjykatës Supreme të Kosovës Enver Peci, ka deklaruar se është e pamundur që të përfundohen të gjitha rastet e shënjestruara deri në muajin qershor, kur edhe pritet nga BE-ja të bëhet një vlerësim i përmbushjes së këtyre kushteve.

“Askush në këtë sallë, as gjyqtarët, apo unë si kryetar i gjykatës supreme nuk mundemi me garantuar se ka me pas suksese deri në qershor. Nuk mundemi me marr raste e kryerjes së lëndëve me ditë, me muaj për shkak të kompleksitetit të rasteve”, ka deklaruar Peci.