QKUK

Gjykata pezulloi zbatimin e Rregullores së Brendshme të ShSKUK-së

Është shtyrë ekzekutimi i Rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ky vendim vjen pas padisë që një punonjës i ShSKUK-së ka bërë kundër kësaj rregulloreje, me të cilën ka kërkuar edhe shtyrjen e ekzekutimit deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.

Padia pretendon se kjo Rregullore e cila u miratua nga Bordi i ShSKUK-së më 09.04.2024, cenon të drejtat nga marrëdhënia e punës, duke mos ofruar garanci minimale për të punësuarit me afat të pacaktuar.

Tjetër pretendim i palës paditëse është se Bordi i ShSKUK-së nuk është kompetent për miratimin e Rregullores, por është Ministria e Shëndetësisë.

Gjykata ka miratuar kërkesën si të bazuar me arsyetimin se paditësit kanë ofruar argumente të besueshme, se është interes publik dhe se shtyrja nuk do t’i sillte dëm të madh palës kundërshtare.

“Kjo shmang pasojat e mundshme që do të shkaktoheshin në të ardhmen, nëse vendimi i kundërshtuar i të paditurës, në fund të procesit gjyqësor, rezulton se është marrë në kundërshtim me ligjin”- thuhet ne vendimin e Gjykatës.

Avokati i paditësit, Ardian Bajraktari tha se padisë i janë bashkuar edhe 136 punonjës të tjerë.

“Unë jam shumë optimist që i tillë si ky vendim do të jetë edhe epilogu përfundimtar i këtij procesi, megjithatë duhet të presim verdiktin e gjykatës”- tha Bajraktari për KALLXO.com.

Dispozitat kalimtare të këtij akti nënligjor, thonë se “lëvizshmëria e personelit në pajtim me legjislacionin përkatës brenda institucionit është e lejuar, nëse konsiderohet e nevojshme për mbarëvajtjen e punës”.

“Çështja e marrëdhënies se punës, tek dispozitat kalimtare thotë se lëvizja e tyre është e mundur, kjo nuk ofron garanci për çfarë lëvizje, si dhe nuk ofron siguri që me rastin e lëvizjes së tyre ata nuk do të transferohen në pozita me kushte të barabarta që kanë aktualisht, si dhe nëse nuk sistemohen brenda një periudhe të cekur të njëjtit mund ta humbasin vendin e punës”- thotë Bajraktari.

Bajraktari ka pretendime edhe për paragrafin e katërt të dispozitave kalimtare ku thuhet se “rritja apo zvogëlimi i numrit të personelit në pajtim me ligjin vjetor të buxhetit nuk krijon nevojë për ndryshim dhe plotësim të kësaj rregulloreje, përveç në rastet kur krijon dhe/apo shuhen strukturat organizative”.

“Rregullorja parasheh shuarjen e pozitave të nivelit drejtues të mesëm dhe të ulët në të gjitha institucionet që janë njësi përbërëse e ShSKUK-së, për pasojë të gjithë udhëheqësit e këtyre njësive do të degradohen në pozita profesionale nga pozitat udhëheqëse, ani pse të njëjtit kishin kontrata me afat të pacaktuar për të ushtruar funksionin e udhëheqësve të këtyre njësive, përkatësisht të këtyre departamenteve. Kjo dispozitë e Rregullores bie në kundërshtim të plotë me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, përkitazi me Ligjin për Zyrtarët Publikë, e cila ka vlerësuar se ndërprerja e kontratave me afat të pa caktuar (të përhershme) për pozitat drejtuese të mesme dhe të ulëta është në kundërshtim me primin e sigurisë juridike nga marrëdhënia e punës dhe e ka vlerësuar si një të drejtë të fituar dhe pritje legjitime”- shtoi më tej avokati.

KALLXO.com ka kërkuar koment lidhur me këtë vendim edhe nga Bordi dhe drejtoria e ShSKUK-së, por deri në publikimin e këtij artikulli, të njëjtit nuk kanë ofruar përgjigje.

Kjo rregullore e kontestuar ka ndryshuar strukturën e këtij institucioni.

Struktura e mëhershme sipas së cilës 54 njësi i raportonin Drejtorit të Përgjithshëm është vlerësuar që vështirëson menaxhimin e institucionit. Kjo ka rezultuar edhe me performancë të dobët të institucionit, duke mos arritur as minimumin e rezultatit të pritshëm.

Sipas rregullores së re, Drejtorit do t’i raportojnë direkt 20 njësi, përfshirë drejtorin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), 7 spitalet rajonale, departamentet e divizionet, Qendra për integrim, rehabilitim dhe risocializim në Shtime, qendrat e shëndetit mendor dhe shtëpitë integruese në bashkësi dhe poliklinikat specialistike stomatologjike.

Me 7 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë votë kundër, Bordi i ShSKUK-së ka aprovuar Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës, në mbledhjen e datës 08.04.2024.

“Kjo rregullore synon të ngrisë efikasitetin dhe produktivitetin e të punësuarve duke përcaktuar qartë përgjegjësitë për llogaridhënien që do të ndihmojnë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore të cilat ofrohen nga ShSKUK” – kishte thënë Kryesuesi i Bordit, tashmë i dorëhequr, Naim Bardiqi në një konferencë për media të mbajtur pas mbledhjes.

Ky akt nënligjor ka derivuar nga Statuti i ShSKUK-së dhe Ligji për Shëndetësi dhe rregullon edhe koeficientet e të punësuarve në administratë.

Rregullorja e re e brendshme e ShSKUK-së synon përmirësimin e menaxhimit përmes ndryshimit të strukturës