ShSKUK tha se në bodrumin e Klinikës së Pulmologjisë nuk ka aparatura mjekësore, por ato ishin aty

Nga reshjet e dendura të shiut të cilët vërshuan mbrëmë në kryeqytet u mbushë ujë edhe bodrumi i Klinikës së Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës dje, më 23.06.2024, deklaroi se në këtë bodrum nuk ka pasur aparatura mjekësore.

KALLXO.com sot, më 24.06.2024 ka vizituar Klinikën e Pulmologjisë në ShSKUK tha ka gjetur se në bodrumin e kësaj klinike gjendet rëntgeni.

“Deri më tani uji ka depërtuar në bodrumin e Klinikë së Pulmologjisë, ku fatmirësisht nuk ka pasur aparatura mjekësore” – u deklarua ShSKUK dje.

Teksa sot, Shërbimi Spitalor pranoi në deklaratën e fundit se në këtë bodrum që u mbushë me ujë pati aparatura mjekësorë.

“Sa i përket Klinikës së Pulmologjisë, uji është larguar nga bodrumi dhe rëntgeni statik është larguar, pa u dëmtuar. Ndërkohë, klinika ka Rëntgen mobil dhe shfrytëzon rëntgenet e Klinikës së Radiologjisë”  – theksohet në komunikatën e ShSKUK-së.

Në këtë komunikatë u shtua se deri në këto momente nuk janë evidentuar dëmtime të aparaturave mjekësore dhe dëme të tjera materiale.

Uji kryesisht u tha se ka depërtuar në dysheme të disa klinikave, por pas masave të menjëhershme aparaturat mjekësore nuk janë rrezikuar.

Sipas Shërbimit Spitalor, puna është duke vazhduar edhe në klinikat tjera, kurse QKUK u tha se nga dita e djeshme ka angazhuar të gjitha kapacitetet teknike dhe stafit shëndetësorë të klinikave, për të tejkaluar gjendjen pas reshjeve të shiut.

Fatmirësisht, ShSKUK tha se kjo gjendje është tejkaluar pa dëmtime të aparaturave dhe dëmeve të tjera të mëdha materiale.