Gjykata e Prishtinës kufizon kontaktet me palët

Gjykata e Prishtinës përmes një komunikate për media ka njoftuar se pas nje mbledhjeje të mbajtur me Kryetaren e Gjykatës si dhe me gjyqtarët përgjegjës të departamenteve, divizioneve dhe degëve të Gjykatës me qëllim të zbatim të Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për Parandalimin e Infeksionit Corona Virus dhe vendimit të  djeshëm të KGJK-së, Gjykata e Prishtinës me degët e saja do të kufizojë aktivitetet e saj përkohësisht deri më datën 27 mars 2020.

Ky është vendimi i Gjykatës së Prishtinës:

  • Seancat e caktuara do të mbahen sipas orarit të paraparë, nga gjyqtari i çështjes do të vlerësohet prezenca e publikut, mediave dhe monitoruesve në seancë (preferohet përjashtimi aty ku nuk shihet e domosdoshme).
  • Puna me palë në shkrimoret e gjykatës do të vazhdojë në atë mënyrë ku palët do të lejohen të hyjnë në gjykatë një nga një, referentët e gjykatës gjatë dhënies së shërbimit duhet të kenë kontakt me vetëm nga një palë me qëllim që të shmanget prezenca e palëve në masë të madhe.
  • Në rastet kur nga stafi i gjykatës njëri prind duhet të kujdeset për fëmijë, atëherë do të aprovohet pushimi nga eprori në bazë të kërkesës së parashtruar të cilës duhet bashkangjitur provat.
  • Ky kufizim i shërbimeve të Gjykatës Themelore në  Prishtinë  mund të ndryshojë varësisht prej rrethanave.