Gjilani mbetet pa stacion të ri të autobusëve për shkak të vonesave në prokurim

Komuna e Gjilanit e ka anuluar tenderin në vlerë 760 mijë euro për ndërtimin e stacionit të ri të autobusëve.

Tenderi është anuluar për shkak se procedurat e prokurimit për ndërtimin e stacionit të autobusëve nuk janë përfunduar brenda vitit 2020.

“Sipas nenit 8 – Afati i realizimit të projektit, sipas pikës 1 të këtij neni projekti është dashur të përfundojë brenda vitit buxhetor 2020”, theksohet në njoftimin e Komunës së Gjilanit për anulimin e këtij tenderi.

Ky kusht ka qenë i vendosur në marrëveshjen për mbështetje financiare të prillit të vitit 2020, nga skema e Grantit për Performancë Komunale ndërmjet Ministrisë së Pushtetit Lokal, Komunës së Gjilanit dhe “Helvetas SwissIntercooperation”.

Për projektin i cili parashihej të kushtonte 760 mijë euro, shuma totale e ndarë nga Granti i Performancës Komunale për vitin 2020 ishte 430 mijë e 423 euro.

Komuna e Gjilanit ka njoftuar se realizimi i këtij projekti për buxhetin komunal është i papërballueshëm, prandaj janë detyruar ta bëjnë anulimin e këtij tenderi.

“Autoriteti Kontraktues bazuar në marrëveshjen e lartpërmendur obligohet ta bëjë anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit sepse nga buxheti komunal nuk mund të realizohet ky projekt”, vazhdon njoftimi për anulim.

Sipas Komunës së Gjilanit, projekti nuk ka mundur të realizohet brenda afateve të parapara për shkak të ankesave nga kompanitë gjatë procedurave të tenderit të cilat kanë shkaktuar vonesa në realizimin e këtij projekti.

Tenderi për ndërtimin e stacionit të ri të autobusëve në Gjilan është iniciuar më 29 maj të vitit 2020.

Ankesa në Gjykatën e Tenderëve kanë dorëzuar 4 kompani të ndryshme.

Ky tender ka qenë duke u realizuar përmes procedurës së hapur. Stacioni i ri i autobusëve ishte paraparë që të ndërtohet në lokacionin e stacionit aktual të autobusëve në Gjilan.