Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Islam Latifi: Është krijuar huti mes raportit të performancës dhe grantit të performancës
Islam Latifi, kryesues i bordit te Forumit të Koordinatorëve të Performancës, tha se ekziston një amulli mes kritereve të grantit të performancës dhe raportit të perfomancës.
Ai në emisionin ‘Kallxo Përnime’ tha se roli i koordinatorëve në këtë proces është shumë i rëndësishëm.
“Ekziston një dallim mes sistemit të performancës dhe grantit të performancës, për shkak se është krijuar një amulli me rastin e publikimit të raportit për performancë që dallonte në renditje me atë të grantit të performancës. Në rastin e parë kemi të bëjmë me gjithë ata tregues dhe fusha që bëhet matja e performancës së komunave, ndërsa te granti janë pesë kushte miniale dhe disa tregues që donatori ka vendosur t’i vlerësojë”, ka thënë Latifi.
“Roli i koordinatorëve në këtë proces është shumë i rëndësishëm ku bashkë me zyrtarë komunalë është bërë identifikimi i të gjithë treguesve, pastaj kemi bërë rishikimin në mënyrë që të eliminohen paqartësitë”, tha ai.
Latifi tha se gjatë periudhës njëmujore të raportimit, zyrtarët janë shumë më aktivë në përpunimin e të dhënave.
“Në kohën kur është afati i raportimit, zyrtarët janë shumë aktivë në përpunimin e të dhënave që më pas verifikohen nga koordinatorët dhe autorizohen te kryetari i komunës. Shumë komuna kanë probleme të ngjashme si kjo me harta zonale dhe shpenzim buxheti”, shtoi tutje ai.
Latifi tha se Komuna e Vushtrrisë ka qenë një nga komunat që në rundin e parë nuk ka qenë përfituese pasi kushti minimal tek ligjshëmria e vendimeve ka qenë një vendim i kontestuar për të cilin komuna ka konstatuar se ka të drejtë, ndërsa Ministria e Pushtetit Lokal e ka kthyer në rishikim.