Gjermania gati të stacionojë 4 mijë ushtarë në Lituani

Gjermania synon të vendosë përgjithmonë 4 mijë ushtarë në Lituani. Prania e tyre duhet të ketë një efekt parandalues. Por kërkohet infrastruktura dhe kushtet e duhura.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ishte në Lituani për më pak se gjysmë ore kur, duke habitur edhe gazetarët e tij, tha: “Gjermania është gati të vendosë një brigadë të fortë në Lituani – përgjithmonë.” Kjo i dha fund përkohësisht një diskutimi që vazhdon prej muajsh, edhe pse shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje.

Disa politikanë të rëndësishëm gjermanë kanë vizituar Lituaninë muajt e fundit. Presidenti Frank-Walter Steinmeier ishte atje në fund të majit, ndërsa presidentja e Bundestagut Bärbel Bas në qershor. Gjermanët janë përballur vazhdimisht në të gjitha nivelet, herë më pak e herë më shumë, me dëshirën e Lituanisë për të vendosur përgjithmonë Bundeswehrin në Balltik.

Në të njëjtën kohë, lituanezët iu referuan premtimit të Olaf Scholzit nga viti 2022. Gati një vit më parë, pas një bisede me Presidentin e Lituanisë, Gitanas Naused, kancelari njoftoi se Gjermania do të rrisë kontributin e saj në mbrojtjen e Lituanisë. Por edhe pas kësaj, shumë gjëra mbetën të paqarta. Gjermania tashmë siguron një pjesë të konsiderueshme të njësive të NATO-s në kuadër të programit “Enhanced Forward Presence” (EFP). Ka pothuajse 800 ushtarë të Bundeswehrit, por ata ndërrohen çdo gjashtë muaj.

Stacionimi i përhershëm

Që nga viti 2017, modeli gjerman për mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s ishte ky: të ketë trupa gati për Lituani – por ato të jenë të stacionuara në Gjermani. Në stërvitjet e rregullta, ushtria u trajnua për të transferuar sa më shpejt njerëz dhe materiale nga Gjermania në Lituani, nga toka, deti dhe ajri.

Aktualisht po stërvit një mijë ushtarë gjatë manovrës “Stuhia Griffin”. Ata janë në Lituani që nga mesi i qershorit, me rreth 300 tanke dhe pajisje artilerie. Gjeneral brigade Navrat, përgjegjës për stërvitjen, thotë se e gjitha ka funksionuar mirë.

Megjithatë, duke pasur parasysh ngjarjet në Rusi gjatë fundjavës së kaluar, përkatësisht rebelimin e Jevgenij Prigozhin dhe njësive Wagner, pyetja është nëse një transferim i madh i ushtarëve nga Gjermania në Lituani do të ishte vërtet mjaft i shpejtë në rast emergjence.

Dhe nëse pyet njerëzit në terren, si rreshteri 38-vjeçar Thomas, i cili po merr pjesë në manovra në Lituani, do të dëgjosh se lëvizja e njerëzve dhe materialeve është një “sfidë logjistike”. Furnizimi është “sigurisht i kufizuar”, sepse nuk mund të marrësh të gjitha me vete nga Gjermania. Megjithatë, nëse vendosen përgjithmonë, njësitë mund të krijojnë infrastrukturën e tyre në Lituani dhe të furnizohen në nivel lokal. Kështu, ushtria gjermane “do të ishte patjetër e gatshme të reagonte më shpejt”.

Pozicioni gjeografik e bën Lituaninë të pambrojtur

Ky është një faktor i rëndësishëm, sepse pozicioni gjeografik në kufirin me Bjellorusinë dhe enklavën ruse të Kaliningradit e bën Lituaninë të pambrojtur. Eksperti i mbrojtjes, Christian Mehling i Këshillit të Punëve të Jashtme thotë se ka një “mungesë thellësie strategjike” në shtetet baltike. Kjo do të thotë se në rast të një sulmi, ushtria ruse mund të lëvizë shumë shpejt në Detin Baltik dhe të pushtojë ose të ndajë mes vete Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë.

Pranimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do të ndryshonte pak gjendjen, sepse në rast emergjence këto dy vende do të duhej të zbarkonin ushtrinë e tyre në mënyrë amfibe përtej Detit Baltik. Kjo është arsyeja pse prania e vazhdueshme e 4000 ushtarëve të Bundeswehrit mund të ketë një efekt parandalues.

Ngjashëm si SHBA në Gjermani

Pistorius premtoi 4000 ushtarë gjermanë – por me dy kufizime: brigada do të vendosej me ritmin siç Lituania ofron infrastrukturën e duhur. Presidenti i Lituanisë Nauseda premtoi se do t’i japë përparësi të lartë përgatitjeve. Ai kërkon të përshpejtojë edhe procedurat teknike dhe ligjore për të ofruar ambiente banimi, poligone qitjeje, depo municionesh si dhe shkolla e kopshte, më së voni deri në vitin 2026.

Sepse ushtarët gjermanë duhet të lejohen të vijnë me familjet e tyre. Do të ishte një “sistem strehimi” i ngjashëm me atë që ushtarët e Shteteve të Bashkuara kanë pasur në Gjermani për dekada. Megjithatë, mbetet një pyetje e hapur nëse një detyrë afatgjatë jashtë vendit do të jetë mjaft tërheqëse për shumë njerëz në ushtrinë gjermane.

Stoltenberg vlerëson planet e Gjermanisë

Përveç infrastrukturës së nevojshme, kufizimi i dytë është që NATO të pajtohet me këtë vendim. Por kjo është më shumë vetëm një formalitet. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës vlerësoi njoftimin e ministrit gjerman të Mbrojtjes Pistorius. Sipas Jens Stoltenberg, Gjermania tregon kështu një lidership të fortë.

Kjo ndoshta do të mirëpritet nga kombi më i rëndësishëm i NATO-s, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në veçanti kur dihet se tema “Evropa dhe përpjekjet e saj për të mbrojtur veten” mund të luajë një rol më të madh në fushatën e ardhshme zgjedhore në SHBA./DW