Gjendja e rëndë e shkallëve tek Posta e Madhe në Prishtinë (FOTO)

Shkallët tek Posta e Madhe në lagjen ‘Dardania’ në Prishtinë ka disa vite që janë në gjendje të rëndë infrastrukturore, madje edhe të rrezikshme për të ecur në to.

Në disa foto të siguruara nga KALLXO.com shihet se mbajtëset e këtyre shkallëve janë thuajse të rrëzuara e ndryshkura, dhe pjesa dërmuese e shkallëve të thyera e deformuara.

Që nga periudha e pasluftës në këto shkallë nuk është bërë asnjë investim që do përmirësonte gjendjen e tyre.

Kujtojmë se komuna e Prishtina para 2 vitesh ka rinovuar platon e Pallatit të Kurrizit që përfshinte pjesën deri afër shkallëve, por në projekt nuk përfshihej edhe rregullimi i kësaj pjese.

Aktualisht këto shkallë ndajnë pjesën e lokacionit ku po kryhen punimet për Xhaminë e Madhe, derisa nuk dihet nëse komuna ka në plan të bëjë diçka për gjendjen e rëndë në këto shkallë të cilat frekuentohen shumë nga banorë, punëtorë të shumtë të zonës, por edhe qytetarë tjerë nga vende të ndryshme.

Për gjendjen e këtyre shkallëve, kryetari në largim, Shpend Ahmeti më herët ka deklaruar se, pasi është Xhamia në rregullim, nuk mund të bëhen investime që do e shkatërronin prapë gjendjen e tyre.

 

Shkallet te Posta e Madhe