Gjakovë, kamioni godet një këmbësore

Një grua është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor, pasi e njëjta sot është goditur nga një kamion në qendër të Gjakovës.

Kështu ka njoftuar për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj.

Ai ka thënë se aksidenti ka ndodhur në semaforat kryesor të Gjakovës sot rreth orës 08:00.

Sipas Xhurkaj vozitësi i kamionit nuk ka vërejtur këmbësoren që ishte duke kaluar në semafor.

“Vozitësi i kamionit, kishte qenë me kamioni ndalur para semaforëve kryesor në drejtim të qendrës së qytetit, dhe pasi qe ishte drita e kuqe në semafor, në momentin që ishte ndezur drita e gjelbër për lëvizje, vozitësi i lartcekur, duke mos e vërejtur fare një këmbësore e cila në momentin kritik kishte qenë duke e kaluar rrugën prej anës së djathtë në të majtë dhe e kishte biçikletën për dore, i dyshuari nga pakujdesia e godet direkt me pjesën ballore këmbësoren”, ka shpjeguar Xhurkaj.

Tutje ai ka njoftuar se viktima fillimisht ishte dërguar nga kalimtarët e rastit në Spitalin rajonal në  Gjakovë.

“Aty iu është dhënë tretmani mjekësor dhe është njoftuar se e lënduara ka rezultuar me frakturë në këmben e majtë. Më pas e lënduara është dërguar me auto ambulant në QKUK në Prishtinë”, ka thënë Xhurkaj.

Tutje është treguar se lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe se me urdhër te tij dyshuari është ndalur në mbajtje.