Foto: Ilustrim

Gjakovë, arrestohen dhe suspendohen tre policë pasi dyshohen se rrahën një qytetar

Inspektoriati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka arrestuar tre zyrtarë policorë në Gjakovë pasi të njëjtit dyshohet se kanë tejkaluar autorizimet policore gjatë përdorimit të forcës ndaj një qytetari.

Sipas njoftimit, IPK-ja ka pranuar një ankesë nga një rast që është raportuar të ketë ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit, kur qytetari ishte ndaluar nga Policia fillimisht për një kundërvajtje në trafik.

“Ankuesi është dërguar për tretman mjekësor nga policia si pasojë e lëndimeve trupore që dyshohet se kanë ardhur nga përdorimi i forcës nga zyrtarët policorë.Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot tre zyrtarë policorë (punonjës në Stacionin Policor të Gjakovës) që ishin të përfshirë në këtë incident”, thuhet në njoftim.

Sipas IPK-së, arrestimi i policëve është bërë me dyshimin se të njëjtin kanë kryer veprën penale – keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe – lëndim i rëndë trupor, kurse me vendim të prokurorit të njejtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe janë suspenduar nga detyra.

“Lidhur me këtë rast, bazuar në autorizimet ligjore, IPK ka bërë rekomandimin për suspendim edhe të katër zyrtarëve tjerë policorë.Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti”, thuhet në fund të njoftimit të IPK-së.