Gërvalla i reagon Borrellit: A po bën thirrje BE-ja për mosndëshkim për ata që sulmuan NATO-n?

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka reaguar Përfaqësuesit të lartë Evropian, Josep Borrell i cili tha se situata në veri të Kosovës është alarmante dhe se arrestimi i serbëve është jashtëgjyqësor.

Gërvalla ka pyetur Borrell nëse BE-ja po kërkon mosndëshkim për sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it.

Ajo theksoi se nuk ka asgjë jashtëjgyqësore në procesin e arrestimit.

“A po bën thirrje BE-ja për mosndëshkim për ata që sulmuan NATO-n? Policia ka prova të qarta se personi i arrestuar sot ka marrë pjesë në sulmin kundër NATO-s më 29 maj. Arrestimi u bë në bazë të nenit 71 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, kështu që nuk ka asgjë jashtëgjyqësore”- ka shkruar Gërvalla.

 

Më herët, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës kreu stërvitje rutinë në Mitrovicë të Jugut, gjë për të cilën, sipas tij, KFOR ka qenë i informuar.

“Stërvitjet e sotme nga Regjimenti III i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut janë  aktivitet rutinë, i planifikuar çdo vit, për të cilin KFOR-i ishte plotësisht i informuar. Ai përbëhej nga 215 ushtarë që shkonin nga garnizoni “Minatori” në Frashër dhe po ktheheshin. Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm”- ka shkruar Kurti në Twitter.

Një person, i dyshuar për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it është arrestuar sot nga Policia e Kosovës.

I dyshuari për sulm në Zveçan, është Nenad Orloviq i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”.

Ky është personi i katërt që është arrestuar nën dyshimet për sulm ndaj gazetarëve e pjesëtarëve të KFOR-it gjatë tensioneve në veri që nisën që nga 26 maji.

Borrell: Shumë i alarmuar me situatën në veri, arrestimet e serbëve e marshin e FSK-së në Mitrovicë