Përleshje mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan. FOTO: Screenshot REL.

Arrestohet edhe një i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it në Zveçan

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar edhe një person të dyshuar për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it që ndodhën më 29 maj në Zveçan.

I dyshuari sipas policisë është arrestuar sot paradite dhe inicialet e të njëjtit janë N. O., i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”.

I njëjti sipas policisë dyshohet për përfshirje në rast të sulmit dhe rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare – KFOR-it.

“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”- thuhet në njoftimin e policisë.

Ky është personi i katërt që po arrestohet nën dyshimet për sulm ndaj gazetarëve e pjesëtarëve të KFOR-it gjatë tensioneve në veri që nisën që nga 26 maji.