Gërvalla i përmend Serbisë rastin e vrasjes në lokalin ‘Panda’ në Pejë

Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla në Këshillin e Sigurimit në OKB ka përmendur rastin e vrasjes së disa të rinjve serbë në lokalin ‘Panda’ në Pejë në vitin 1998, për të cilën ishte fajësuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ajo tha se Serbia edhe sot po përpiqet të bëjë propagandë të ngjashme me ato që i paraprinë luftërave në Ballkan.

“Ministri i Punëve të jashtme të Serbisë nuk po përpiqet që të bëjë vetëm falsifikim faktesh por të bëjë diçka të ngjashme me Milosheviqin në vitet 80-ta, kështu filloi lufta, me krijimin e përceptimit se minoriteti serb janë në rrezik, që duhet intervenimi i Serbisë me propagandë false, dhe ne kemi edhe rastin ‘Panda’ në Pejë, ku për shumë vite pretenduan se UÇK i vrau disa të rinj serbë, tani kjo dihet se u krye nga vetë Serbia”, ka thënë Gërvalla.

Më 14 dhjetor 1998, dy persona të maskuar kanë hyrë në kafenenë “Panda” dhe kanë vrarë nxënësit e shkollave të mesme: Ivan Obradoviq, Zoran Stanojeviq, Svetisllav Ristiq, Dragan Trifoviq, Vukosav Gvozdenoviq si dhe studentin, Ivan Radoviq.