Ilustrim

Gazetarët së shpejti do të pajisen me jelekë anti-plumb dhe helmeta

Rreth 30 jelekë anti-plumb dhe helmeta mbrojtëse së shpejti do të jenë në dispozicion për përdorim nga gazetarët dhe ekipet e mediave në Kosovë. Nga Asociacioni i Gazetarëve thonë se këto pajisje të dhuruara si donacion, do të ruhen nga institucionet përkatëse shtetërore dhe do të jepen për përdorim të përkohshëm.

Sulme fizike që përfunduan me gjymtyrë të thyera, vetura të demoluara, sulme me shok-bomba, e madje edhe sulme me armë zjarri.

Ndërmjet majit e qershorit, gjatë raportimit nga komunat veriore janë kryer 29 sulme ndaj mediave.

Pamjet si të gazetares së CNN-it në Palestinë dhe ekipit të SKY News në Ukrainë, tregojnë se përpos që po i shmangen rrezikut duke ikur, ata janë të pajisur edhe me jelekë anti-plumb dhe helmeta në kokë.

Edhe gazetarët në Kosovë së shpejti do të kenë mundësi që nga zonat me rrezik, të jenë të pajisur në këtë mënyrë.

“Nga Free Press Unlimited janë gjithsej 14 jelekë anti-plumb dhe 14 helmeta. Ndërsa po e presim edhe gjysmën tjetër të donacionit i cili është nisur. Pra pritet që deri më datën 17 tetor të arrijë në Kosovë është ky donacion, pra pjesa e dytë vjen nga Reporters Without Borders gjithashtu përmban 15 jelekë anti-plumb dhe 15 helemata” – ka deklaruar Getoarbë Mulliqi, drejtoreshë ekzekutive në AGK.

Sipas Mulliqit, këto pajisje do të mbahen në vende të caktuar nga institucionet shtetërore edhe pastaj do të ju bëhet thirrje udhëheqësve të mediave që të caktojnë personat që do t’i shfrytëzojnë mjetet anti-plumb.

“Të identifikohen dhe pastaj ata të bëhen pronar të përkohshëm të këtyre mjeteve mbrojtëse dhe të përdoren sipas nevojës. Nëse ka në periudhë më të gjatë do të mbahen direkt nga ata dhe pastaj do të diskutohen edhe modalitet sepse është praktikë për herë të parë” – ka shtuar Getoarbë Mulliqi nga AGK.

Sipas saj, deri në fund të muajit mund të kompletohet sasia e pajisjeve për gazetarët dhe të hapet mundësia për përdorim.

Përkundër që nuk jemi zonë e konfliktit, juristët e së drejtës së medias këshillojnë që ekipet e mediave t’i përdorin këto pajisje.

“Unë shpresoj shumë që gazetarët do t’i përdorin këto pajisje, sepse e di që në Ukrainë pajisjet e tilla i kanë mbrojtur gazetarët nga vrasja dhe i ka mbrojtur edhe nga lëndimet” – ka thënë Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias.

Duke përmendur numrin e kufizuar të helmetave dhe jelekëve anti-plumb, Kusari kërkon mirëkuptim nga mediat për mënyrën se si do shpërndahen ato nga AGK-ja.

Këtë vit është dyfishuar numri i rasteve kur ekipet e mediave janë pre e sulmeve të ndryshme, me 64 sulme, gjysma prej të cilave në komunat veriore./Dukagjini.com.