Pasaporta e Kosovës, Foto: Flaka Fazlija - Kallxo.com

Gazeta spanjolle: Spanja konfirmon se ka njohur pasaportën e Kosovës

Gazeta spanjolle “El Pais” ka raportuar se Spanja ka konfirmuar se e pranon pasaportën e Kosovës, ndonëse nuk e njeh pavarësinë e saj.

Sipas raportimit të kësaj gazete, Komisioni Europian në prill kishte njoftuar se Spanja do të jetë i vetmi vend në zonën Schengen ku qytetarët e Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë.

“Spanja e ka pranuar si të vlefshme pasaportën e Kosovës përkundër faktit se nuk e njeh pavarësinë e këtij vendi…” – thekson gazeta spanjolle, duke u thirrur në burime në Ministrinë e Punëve të Jashtme e nga Bashkimi Europian.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dje ka njoftuar se Spanja e njeh pasaportën e Republikës së Kosovës.

Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza edhe në Spanjë.

“Lajmet e mira vazhdojnë. Për qytetarët tanë dhe shtetin. DG Home ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti” – ka thënë Bislimi.

Tutje ai shtoi se që nga 1 janari nisi lëvizja pa viza, e se Spanja tashmë është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Schengen ku mund të udhëtohet lirshëm.

Qytetarët kosovarë nga data 1 janar kanë filluar të udhëtojnë në zonën Schengen pa viza.

Vendimi i BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën është nënshkruar më 19 prill të vitit 2023 nga përfaqësuesit e Parlamentit Europian dhe ata të Këshillit të BE-së.

Bislimi: Edhe Spanja e njeh pasaportën e Republikës së Kosovës