Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, Foto: ZKM

Bislimi: Edhe Spanja e njeh pasaportën e Republikës së Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka njoftuar se Spanja e njeh pasaportën e Republikës së Kosovës. 

Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza edhe për në Spanjë.

“Lajmet e mira vazhdojnë. Për qytetarët tanë dhe shtetin. DG Home ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti” – ka thënë Bislimi.

Tutje ai shtoi se që nga 1 janari nisi lëvizja pa viza, e se Spanja tashmë është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Schengen ku mund të udhëtohet përmes liberalizimit. 

Ai tha se udhëtimi për këtë vend më herët kishte pengesë mosnjohjen e pasaportës së vendit.

“Vazhdojmë tutje, për të sjellë lajme të tjera të mira, e që ndikojnë pozitivisht për qytetarët tanë” – tha zëvëndëskryeministri.

Qytetarët kosovarë nga data 1 janar kanë filluar të udhëtojnë në zonën Schengen pa viza.

Vendimi i BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën është nënshkruar më 19 prill të vitit 2023, nga përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe ata të Këshillit të BE-së.