Foto: KALLXO.com, Gastronomia. Ilustrim

Gastronomët mund të protestojnë nëse nuk përfillen kërkesat e tyre

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës pas masave të reja nga Minsitria e Shëndetësisë për ndryshimin e orarit të punës së gastronomisë dhe qendrave tregtare nga ora 21:00 – 05:00 (përveç shërbimeve “merr me vete”)  kanë paraqitur kërkesat e tyre për instuticionet përgjegjëse.

Veton Zuka nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës tha për KALLXO.com se nëse nuk përfillen kërkesat e tyre, ata kanë gjasa që të paralajmërojnë protesta në mbledhjen e jashtëzakonshme që do të mbajnë pranë hapësirave të Odës Ekonomike të hënën.

Kërkesat e tyre janë: subvencionimi i linjës së pagave të punëtorëve, subvencionimin e qirasë, ndarjen e granteve që stimulojnë afarizmin në gastronomi, dhe krijimin sa më të shpejtë të një pakoje që ka për qëllim mbështetjen e sektorit në pajtim me kërkesat e tyre.

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj pas takimit me Komitetin për menaxhimin e pandemisë ka treguar masat e propozuara për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në mesin e masave është paraparë që qendrave  tregtare dhe lokaleve të  gastronomisë si restauranteve dhe kafiterive  dhe të ngjashme të iu ndalohet puna nga ora 21:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Zemaj tha se këto masa të propozuara do hyjnë në fuqi pas nënshkrimit nga ana e tij.