Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përparim Rama thirrje gastronomëve të pajisen me matës të zhurmës, paralajmëron gjoba deri në 5 mijë euro

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i ka bërë thirrje sektorit të gastronomisë të pajiset me certifikatë dhe pajisje për matje të zhurmës, sipas rregullores së miratuar nga Komuna.

Sipas tij, afati është zgjatur edhe për dy javë dhe ka paralajmëruar se do të ketë gjoba.

“Obiligimet e gastronomisë sipas rregullores së miratuar nga Komuna janë të qarta. Me anë të kësaj konference do bëj thirrjen e fundit për gastronominë për aplikimin për pajisjet për matje zhurme konform rregullores. Edhe pse afati për aplikim ka skaduar, kam shprehur vullnet të zgjasë afatin edhe për 14 ditë. Në rast të dështimit të respektimit të kësaj rregulloreje, Komuna do nisë me shqiptim të gjobave të cilat janë nga 500 deri në 5,000 euro”- është shprehur Rama.

Në rast të shkeljeve të përsëritura, Inspektorati do pezullojë veprimtarinë e subjektit deri në 8 ditë.

Arian Vranica, zëdhënës i Shoqatës së Gastronomëve, po ashtu u bëri thirrje bizneseve që të aplikojnë për këto pajisje për matje zhurme në mënyrë që të mos ketë gjoba.

Para miratimit të kësaj rregulloreje, Komuna e Prishtinës ka mbajtur tri konsultime publike me banorë, gastronomë dhe institucione të sigurisë.

Gastronomia në Prishtinë nis të pajiset me mjete për matje të zhurmës