Administrata Tatimore e Kosovës - Foto: KALLXO.com

ATK u bën thirrje gastronomisë, këngëtarëve, stilistëve e salloneve të bukurisë t’i deklarojnë të hyrat

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) u ka bërë thirrje tatimpaguesve nga sektori gastronomisë/hotelerisë, këngëtarëve, stilistëve, si dhe salloneve të bukurisë që t’i deklarojnë të hyrat.

“Duke pas parasysh që tani më kemi hyrë në sezonin kur disa sektorë të bizneseve rrisin aktivitetin e tyre, andaj Administrata Tatimore e Kosovës u bënë thirrje të gjithë tatimpaguesve të cilët në aktivitetet e tyre kanë veprimtarinë e gastronomisë/hotelerisë, këngëtarëve, stilistëve, si dhe salloneve të bukurisë, që të deklarojnë saktë detyrimet e tyre tatimore, pasi që në të kundërtën do të duhet të veprojmë sipas thirrjeve ligjore”- thuhet në njoftimin në Facebook.

Sipas ATK-së gjatë sezonit të verës shumëfishohen aktivitetet e lartpërmendura, të cilat bazuar në aktivitetin që kanë, janë si një zinxhir, ku kryesisht janë shumë evidente ndeja të ndryshme, si në restorante ashtu edhe në diskoteka, në të cilat ndërlidhen pjesa e këndimit ose DJ, si dhe përgatitja nga sallonet e bukurisë dhe stilistet.

“Për ketë qëllim ATK ka dizajnuar projektin për Akomodim dhe Shërbime Ushqimore, i cili bazuar në të dhënat e përmbushjes, renditet si njëra ndër industritë me nivel të lartë të mos-përmbushjes së detyrimeve tatimore, andaj edhe është pjesë e planeve specifike të përmbushjes për grupet e identifikuara me rreziqe të larta për vitin 2022”- thuhet tutje në njoftim.

Përveç kësaj ATK ka paralajmëruar edhe paralajmëron verifikime dhe kontrolle tatimore.

“I bëjmë thirrje të gjithë personave e bizneseve të deklarojnë dhe paguajnë saktë obligimet e tyre të përcaktuara me Legjislacionin Tatimor në fuqi, në të kundërtën ne jemi të obliguar që të fillojmë me verifikime dhe hapjen e kontrolleve tatimore, të cilat mund të rezultojnë me ndëshkimet nga parregullsitë dhe pasaktësitë e hasura”- thuhet në njoftim.

KALLXO.com, në vazhdimësi ka raportuar dhe transmetuar operacione të ATK-së, ku shihet se këngëtarët por edhe bizneset nuk deklarojnë të hyrat e tyre ashtu siç janë të obliguar me ligj.

Shmangia tatimore nga estrada, këngëtari i famshëm deklaron se këndon për vetëm 500 euro