Foto nga një protestë e gastronomëve të Kosovës, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. FOTO-REL

Gastronomët kërkojnë formimin e Komitetit për COVID-19, për fushën e ekonomisë

Masat e reja kufizuese të marra nga autoritetet e Kosovës, me qëllim të frenimit të koronavirusit, kanë prekur edhe sektorin e gastronomisë, duke ia ndaluar aktivitetin nga ora 21:00 deri në 05:00 të mëngjesit.

Duke komentuar këto masa, Petrit Kllokoqi, nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka kërkuar nga Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami që të formojë Komitetin për COVID-19, për fushën e ekonomisë.

“Njëjtë sa kemi vdekje nga COVID-19, njëjtë kemi vdekje ekonomike në vendin tonë”, ka thënë ai.

Kllokoqi mes tjerash ka shtuar se nëse nuk formohet një pako e vecantë për sektorin e gastronomisë, ata nuk do të ndalen së kërkuari ndihmë nga shteti.

“Me këto masa ne jemi rrënuar shumë, ndonëse kemi qenë të rrënuar, mirëpo në të njëjtën kohë parlajmërojmë aksione të ndryshme”, ka thënë ai, duke shtuar se listën e punëtorëve që nuk do t’iu vazhdohet kontrata do ta dërgojë te autoritetet shtetërore.

Në mesin e kërkesave, ai ka përmendur subencionimin e pagave, mbulimin e qirave dhe heqjen e gastronomicë nga rrisku bankar.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, duke refuzuar që të komentojë nëse masat e reja kufizuese kanë qenë të domosdshme, ka paralajmëruar se tkurrja ekonomike këtë vit në Kosovë do të jetë 8.8 për qind.

Sipas tij, kjo shifër nënkupton mbylljen e mijëra vendeve të punës.

Ai ka thënë se i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti që të ndihmohen sërish bizneset, sikurse në valën e parë të pandemisë.

Bizneset në Kosovë janë ndihmuar me 60 milionë euro në kuadër të Fondit për Rimëkëmbje Ekonomike./REL