Kryetari i Deçanit e quan "skandal administrativ" vendimin e Qeverisë për pronat komunale

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për tërheqjen nga procesi i privatizimit të disa pronave që iu kishin dhënë komunave të Gjilanit, Ferizajt, Suharekës, Skenderajt, Deçanit, Junikut dhe Hanit të Elezit, nuk është mirëpritur nga këto të fundit.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, në emisionin ‘Kallxo Përnime’ e quajti skandal administrativ një vendim të tillë të ekzekutivit.

Ai tha se në pronat e ndara në atë kohë nga Qeveria Haradinaj tashmë janë ndërtuar objeketet, duke theksuar se nuk e di se çfarë do të bëhet në një rast të tillë.

Kryetari i Deçanit tha se beson që kryeministri Albin Kurti është vënë në lajthitje me një vendim të tillë dhe se, sipas tij, nuk ekziston asnjë rrethanë që duhet të ndodhë ky vendim.

“Krejt ky skandal administrativ ka ndodhur për shkak të mungesës apo zero komunikimit mes komunave dhe kryeministrit. Në praktikën tonë si komunë, që janë ndërru katër qeveri, ne kemi pasur komunikime të vazhdueshme me të gjitha ato  të cilat i kemi njoftu dhe i kanë ditë hallet tona. Për herë të parë, për hir të realitet ka qenë Komuna e Gjilanit me një takim me kryeministrin Haradinaj nevojën për pronë për varreza dhe më pas ne komunat e tjera i kemi zhvillu procedurat të cilat i kemi dërgu në MAPL për vlerësim të ligjshmërisë dhe na janë kthy pozitive, domëthënë që mundeni me vazhdu. Komuna kanë shumë pak prona. Ne në vitin 2019 kemi fillu ndërtimet në këto prona që na janë dhënë duke shpresu që gjithçka është në rregull dhe do të përfundojnë të gjitha procedurat. Po besoj që edhe Kurti është vënë në lajthitje me këtë vendim nuk ka asnjë rrethanë nuk duhet me ndodh ky vendim”, tha Ramosaj.

Në arsyetim të vendimit të Qeverisë për heqjen nga procesi i privatizimit të pronave publike u tha se këto vendime “nuk kanë mundur të zbatohen, kështu, pronat kthehen  nën menaxhimin e AKP-së”.