Gardiani kapet duke futur telefon në burgun e Dubravës - FOTO

Sot rreth orës ‪07:40 në Qendrën Korrektuese në Dubravë, oficerët korrektues kanë arritur të parandalojnë futjen kontrabandës brenda qendrës.

Sipas komunikatës së SHKK, oficerët korrektuese gjatë kontrollit në portën hyrëse të qendrës, kanë hetuar se H. L.  oficer korrektues në QK Dubravë,  kishte të fshehur në kuletën tij një telefon mobil, për të cilin dyshohet se tentonte ta fuste brenda qendrës. I njëjti, për veprime të tilla ishte duke u hetuar për një kohë të gjatë.

“Me të hetuar këtë veprim, i menjëhershëm ka qenë reagimi i stafit përgjegjës për siguri, i cili ka ndërmarr veprimet e nevojshme, me ç’rast kanë lokalizuar vendin, provat materiale dhe zyrtarin e dyshuar. Lidhur me rastin janë njoftuar Policia, ndërsa ndaj  të dyshuarit është ndërmarrë masa e suspendimit nga puna dhe me njëherë është iniciuar procedure e brendshme disiplinore”, thuhet në komunikatë.

Vetëm brenda pak ditësh SHKK ka kapur dy zyrtarë duke tentuar të fusin kontrabandë brenda Qendrës Korrektuese të Dubravës.