E-Kiosku në Pozheran të Vitisë, Foto: Komuna e Vitisë

GAP: Ngecjet e komunave në funksionalizimin e kiosqeve elektronike

Instituti GAP do të prezantojë raportin që tregon për telashet e komunave me ofrimin e shërbimeve administrative në nivel komunal. Ato janë të varura nga politikat e nivelit qendror. Mos krijimi i kushteve për zbatimin e Strategjisë për Modernizimin e Administratës Publike kanë ndikuar edhe në organizimin dhe efikasitetin e punës nëpër komuna. Madje komunat vlerësojnë se niveli qendror është më shumë pengues se sa lehtësues në racionalizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve administrative.

Kjo i ka shtyrë komunat që të ndërmarrin disa vetëiniciativa për racionalizimin e shërbimeve administrative. Iniciativa më e madhe e komunave në këtë drejtim është vendosja e kiosqeve elektronike.

Mbi gjysma e komunave të Kosovës kanë instaluar së paku një kioskë elektronike për dhënien e dokumenteve të gjendjes civile. Përderisa numri i kiosqeve elektronike ka shkuar duke u rritur, edhe problemet që ndërlidhen me funksionimin e tyre janë shtuar.

Në këtë konferencën për media do të prezantohen të gjeturat e hulumtimit mbi ngecjet në digjitalizimin e shërbimeve administrative dhe funksionalizimin e kiosqeve elektronike.