(Ilustrim) - Foto: Naser Sertolli/KALLXO.com

Barnatorja Qendrore dhe kontraktuesit fajësojnë njëri-tjetrin për mungesën e 2 medikamenteve në QKUK

Për mungesën e dy medikamenteve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Barnatorja Qendrore dhe operatorët ekonomikë, të cilët e bëjnë furnizimin me to, po e mbajnë përgjegjës njëri-tjetrin.

“Infliximab” në Klinikën e Gastroenterologjisë dhe “Cyproterone acetate” në Klinikën e Onkologjisë, sipas Shqipe Fetahut nga Barnatorja Qendrore po mungojnë sepse janë në pritje të liferimit nga kontraktuesit, ndonëse tha se kërkesën për furnizim e kanë bërë me kohë.

“Kërkesat për të gjitha produktet medicinale kanë filluar që në fillim të janarit sipas urgjencave dhe në vazhdimësi janë duke u proceduar për tremujorin e parë te vitit 2023. Pra, furnizimet realizohen çdo tremujor, sipas planifikimit të njësive kërkuese” – tha Shqipe Fetahu, u.d. shefe e sektorit të furnizimit me barna dhe material medicinal.

Ajo shtoi se këto vonesa zakonisht ndodhin në rastet kur kontraktuesit nuk kanë në stok medikamentin përkatës dhe bëjnë porosi nga jashtë vendit.

“Sa i përket Barnatores Qendrore ne gjithmonë, kur është në pyetje me i lëshu porositë ndodh që edhe pas orarit rri stafi dhe i lëshojnë me kohë” – u shpreh Fetahu.

Mirëpo, dy operatorët ekonomikë, “Medical Group” Sh.P.K. për “Infliximab” dhe N.T.P. “ICN & BM” për “Cyproterone acetate” thanë ndryshe për KALLXO.com.

Nga “Medical Group” thanë se kërkesën e kanë pranuar rreth 15 ditë më parë.

Ndërkaq, nga “ICN & BM” thanë se kërkesën nga QKUK e kanë pranuar më 16 janar.

Afati për furnizim me barna, sipas kontratave, është 30 ditë.

Kontrata mes “Medical Group” Sh.P.K. dhe QKUK-së është nënshkruar më 6 maj 2022, në vlerë prej mbi 577 mijë eurove. Ndërsa mes N.T.P. “ICN & BM” dhe QKUK-së është nënshkruar më 10 shkurt 2021 në vlerë prej 120 miijë eurove.

Fetahu tregoi se me “Infliximab” do të furnizohen sot dhe të njëjtën e konfirmoi edhe kontraktuesi “Medical Group”.