FSK pritet t'i marrë në shfrytëzim hapësirat e ish-kampit 'Casablanca' në Suharekë

Forca e Sigurisë së Kosovës pritet t’i marrë në shfrytëzim pronat e ish-kampit “Casablanca” në Suharekë.

Qeveria e Kosovës mori sot vendim për shpronësimin e hapësirave të pronave të paluajtshme ish-shoqërore P.Sh. IGK “Ballkan” Njësia Damper, (ish-kampi “Casablanca”) për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Pas miratimit të vendimit të datës 29.11.2023 departamenti i shpronësimit ka mbajtur dëgjimin publik në komunën e Suharekës dhe ka trajtuar të gjitha kërkesat dhe ankesat e të gjithë pronarëve dhe pas plotësimit të kushteve të parapara departamenti i shpronësimit i propozon qeverisë që të nxjerr vendim” – deklaroi ministri i Mjedisit dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu të mërkurën gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

“Për realizimin e këtij projekti është e nevojshme të kryhen procedurat e nevojshme të shpronësimit të pronës për të gjithë pronarët të cilët janë evidentuar, materiali është koordinuar mes ministrive përgjegjëse dhe agjencive dhe zyrave përkatëse” – deklaroi ai.

Vendimi mori të gjitha votat pro të kabinetit qeveritar.