Rektorati i UP | Foto: KALLXO.com

Flet anëtari i shkarkuar i Këshillit Drejtues të UP-së, thotë se i erdhi papritmas

Fadil Osmani, anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së, i cili u shkarkua sot nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami ka thënë se nuk ka pranuar njoftim në lidhje me këtë çështje.

“Sa i përket vendimit të ministres nuk dua ta komentoj, arsyeja pse nuk dua është sepse nuk kemi pasur një paralajmërim paraprak për një vendim të tillë”, tha Osmani për KALLXO.com.

Sipas tij, shkarkimi i tij nga KD i UP-së është ndërhyrje në këtë organ.

“Unë mendoj që është një ndërhyrje drejtpërdrejtë në punën e KD të UP-së, duke marrë për bazë se ne kemi qenë në proces zgjedhor, ndërhyrje në procesin zgjedhor qoftë për interesa individuale qoftë për interesa të tjera”, tha Osmani.

Osmani shtoi se nuk ka pasur asnjë vërejtje në punën e tij.

“Ne deri më tani i kemi dorëzuar në MAShTI edhe planin e veprimit edhe raportin vjetor, nuk kemi pasur ndonjë vërejtje rreth punës tonë deri më tani, sepse çdo punë që e kemi bërë deri më tani e kemi bo në përpikmëri”, tha Osmani për KALLXO.com.

“Një vendim i tillë na ka ardhur papritmas edhe nuk len hapësirë pse është bërë një ndërhyrje e tillë pikërisht në fazën kur pritej të bëheshin publike procesi zgjedhor në UP për zgjedhjen e rektorit dhe dekanëve dhe këshilla të fakultetit dhe studentëve”, shtoi ai më  tej.

KALLXO.com ka raportuar se ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami ka shkarkuar sot tre anëtarë të Këshillit Drejtues të UP-së që ishin emëruar nga ish-ministri, Shyqiri Bytyqi.

Anëtarët e shkarkuar janë: Ujkan Bajra, Drita Shoshi dhe Fadil Osmani.

Kurse, këta janë zëvendësuar me tre anëtarë të rinj: Muharrem Bajrami, Fisnik Reçica, Mentor Geci.

Ish-kryesuesja e Këshillit Drejtues të UP-së mbante pozitë me konflikt interesi

Ish-ministri i Arsimit, Bytyqi e kishte emëruar Drita Shoshin dhe Fadil Osmanin më 7 shkurt të vitit 2018, kurse Ujkan Bajra më 5 prill të vitit 2019.

Këshilli Drejtues i Universitetit është organi kryesor qeverisës i Universitetit.

Ai ka përgjegjësi të përgjithshme strategjike për funksionimin efektiv institucional të Universitetit dhe është përgjegjës për të gjitha vendimet në lidhje me çështjet financiare (buxheti, personeli, infrastruktura), në mënyrë që të sigurojë kushte të përshtatshme për veprimtarinë e qëndrueshme të Universitetit në përputhje me obligimet e tij.

Këshilli Drejtues, kolektivisht, i raporton Ministrisë, dhe është përgjegjës për shfrytëzimin e duhur e në mënyrë efektive të fondeve që Ministria ose ndonjë burim tjetër publik ia ka ndarë Universitetit.

Këshilli Drejtues përbëhet nga nëntë anëtarë me të drejtë vote. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë emëron katër anëtarë me të drejtë vote dhe ata emërohen sipas dispozitave të Ligjit mbi Arsimin e Lartë, ndërsa Senati zgjedh pesë anëtarë të Këshillit Drejtues me të drejtë vote nga personeli akademik i Universitetit.