Papa Françesku - Foto: REL/Reuters

Fjalimi i Papa Françeskut: Zoti na do të gjithëve madje edhe më të kqinjtë prej nesh

Papa Françesku foli për dashurinë “pa kushte” edhe për “më të keqen nga ne”, pasi mbajti meshën e mesnatës në Vatikan të martën në mbrëmje, si pjesë e festimeve tradicionale të festës së Krishtlindjes, raporton Euro News.

“Krishtlindja na kujton se Zoti vazhdon të na dojë, madje edhe më të këqijtë prej nesh”, tha Papa.

“Për mua, për ju, secilit prej nesh, Ai thotë sot: ‘Unë ju dua, sepse ju jeni të çmuar në sytë e mi’. Zoti nuk ju do juve sepse ju mendoni dhe veproni në mënyrën e duhur. Ai ju do, pastër dhe thjeshtë. Dashuria e tij është e pakushtëzuar, nuk varet nga ju”, tha Papa Françesku.

“Ju mund të keni ide të gabuara, ju mund të keni bërë një rrëmujë të gjërave, por Zoti vazhdon t’ju dojë”.

Ai u kërkoi ndjekësve të mos prisnin që “Kisha të ishte e përsosur” për ta “dashur atë”.

Disa interpretuan fjalët e tij këtë vit si një aludim ndaj skandaleve brenda kishës. Papa njoftoi javën e kaluar se ai do të heqë statutin e fshehtësisë së Vatikanit për raste abuzimesh seksuale që kanë tronditur Kishën për dekada të tëra.

Në meshën e natës së Krishtlindjes, ai foli për të mos pritur për t’i dashur të tjerët.

“Mund të mos presim që fqinjët tanë të jenë të mirë para se të bëjmë mirë për ta, që Kisha të jetë e përsosur, para se ta duam atë, që të tjerët të na respektojnë para se t’u shërbejmë. Le të fillojmë me veten tonë”, tha ai.

Ai foli për “mirënjohjen” dhe ndryshimin e botës.

“Ne ndryshojmë, Kisha ndryshon, ndryshon historia. Pasi të ndalemi të përpiqemi të ndryshojmë të tjerët, por të përpiqemi të ndryshojmë veten dhe ta bëjmë një dhuratë jetës sonë”, tha Papa.

“Jezusi na e tregon këtë sonte. Ai nuk e ndryshoi historinë duke bërë presion ndaj ndokujt ose me një grumbull fjalësh … ai nuk priti derisa të ishim të mirë para se të na donte, por e dha veten lirshëm ndaj nesh.”

Ceremonia në Bazilikën e Shën Pjetrit vjen një ditë para se Papa t’i drejtohet turmës në Sheshin e Shën Pjetrit në mesditën e ditës së Krishtëlindjes.

Në vitet e mëparshme, Papa ka përdorur meshën për të adresuar ngjarjet e vitit paraardhës, siç ndodhi në vitin 2017 kur ai foli për miliona migrantë dhe refugjatë të përzënë nga shtëpitë e tyre.

Në vitin 2018, Papa nxori në pah varfërinë globale, dhe një botë në të cilën ai tha: “disa darkojnë në mënyrë luksoze ndërsa të tjerë janë pa bukën e përditshme të nevojshme për të mbijetuar”

Në predikimin e këtij viti, Papa gjithashtu u bëri thirrje njerëzve “të mos presin që të tjerët të bëjnë mirë para se t’u bëjnë mirë atyre”, dhe të ndryshojnë veten e tyre përpara se të kërkojnë të ndryshojnë të tjerët, kishën ose botën më gjerë.