Katedralja Shën Tereza | Foto: KALLXO.com

Mesha e Krishtlindjes përcillet me lutje për paqe

Në mesnatë më 25 dhjetor, në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë është mbajtur mesha solemne e Krishtlindjes, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Gjatë fjalimit të tij, ai bëri thirrje për paqe, ndërsa shtoi se kjo festë është momenti më i mirë për ta falënderuar Zotin.

“Lutem për paqe në botë sepse [mungesa e paqes] në shumë vende është duke e shkatërruar fatin e shumë njerëzve, jetën e shumë të pafajshmëve dhe ne, që e kemi përjetuar këtë të keqe, duhet të angazhohemi që të ruajmë paqen pas nesh”, tha Dodë Gjergji.

Ai gjithashtu e dedikoi një pjesë të fjalimit të tij “për të gjithë njerëzit që kanë nevojë, për të sëmurit, për ata të cilëve u mungon kujdesi, dashuria”.

Krishtlindja është festa më e rëndësishme në kalendarin e festave të krishtera dhe festohet çdo vit në natën mes 24 dhe 25 dhjetorit.

Për Krishtlindje në Prishtinë do të mbahen edhe dy mesha të tjera: njëra në Katedralen Nënë Tereza, ndëra tjetra në Kishën e Shën Ndout.

Për ta shënuar festën e Krishtlindjes, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vizitoi nje familje katolike në Prizren.

“Kësaj radhe, bashkë me Prindonin, qëndruam në familjen Laçi në Prizren. Aty ku mikëpritja, tradita e filigranit dhe bashkimi i familjes me pjesën nga mërgata i japin sharm atmosferës festive” shkroi Osmani në llogarinë e saj në Facebook./REL