Pjesë nga filmi "Arbëria", Foto: IMDb

Filmi për komunitetin e lashtë shqiptar të Italisë arrin në Netflix, regjisorja tregon pritshmëritë

Një film i vitit 2019 kushtuar komunitetit arbëresh me origjinë shqiptare në jug të Italisë po shfaqet në Netflix nga 23 dhjetori.

Filmi i parë me temë shqiptare po shfaqet në Netflix nga 23 dhjetori i këtij viti, “Arbëria” fokusohet në traditat dhe kulturën e arbëreshëve, një komunitet me prejardhje shqiptare që kanë jetuar për shekuj në disa fshatra të Kalabrisë dhe Bazilikatës.

Francesca Olivieri, vetë me origjinë nga Kalabria, është regjisorja dhe skenaristja e filmit të prodhuar në vitin 2019, por që tani shfaqet në platformën e filmit amerikan.

Olivieri tha për Prishtina Insight, se historia e personazhit kryesor është frymëzuar nga familja e saj. “Historia e Aidës është pjesërisht e frymëzuar nga përvojat personale të tezes sime dhe gjyshes sime, të lindura në Santa Caterina Albanese, në Kalabri, në jug të Italisë”, tha ajo.

“Doja të zhytesha në këto elemente biografike dhe të orientohesha… Tema është padyshim personale, unë jam vetë një grua e re që kam emigruar, kështu që shpresoj se kjo histori e bujarisë njerëzore mund të jetë me interes për një publik që është i shpërndarë kulturalisht”, shtoi ajo.

Olivieri kujton gjithashtu se është ndjerë shumë e prekur kur ka parë një performancë të një “valleje”, vallëzim tradicional shqiptar në Itali.

“Më kujtohet hera e parë që pashë një vallja, vallja tradicionale e arbëreshëve. U trondita sepse ndjeva se ky moment ishte magjik dhe kishte një potencial kinematografik në vetvete”, tha ajo.

“Pastaj fakti i dëgjimit të gjyshes sime duke folur shumë herë në këtë gjuhë [shqip] ishte padyshim burimi im kryesor i frymëzimit. Ajo ishte muza ime e veçantë gjatë gjithë filmit dhe më mësoi traditat dhe atë që është më e vlefshme në kulturën arbëreshe”, shtoi ajo.

Regjisorja është i kënaqur që filmi tani do të përhapet në të gjithë botën e shikimit të filmave nga Netflix.

“Netflix është një…platformë e rëndësishme. Fakti që ata do të bëjnë përpjekje për të treguar historinë e një pakice gjuhësore në Itali është një fakt i rëndësishëm”, tha ajo.

“Netflix ka një pikë editoriale që është e fortë … në temat rinore, gjithashtu në lidhje me rrënjët e konflikteve dhe turpin e të qenit anëtar i një populli tradicional”, tha Olivieri.

Filmi tregon historinë e Aida Grekos, një vajze të re arbëreshe që përballet me identitetin e saj social dhe kulturor. Ajo ka kohë që ka lënë rrënjët e saj në Kalabri për t’u bërë stiliste në një qytet të madh, por kthehet në shtëpi pas një vdekjeje.

Në familje, ajo mirëpritet me një përzierje dashurie dhe mosbesimi. Më e afërta me të është një mbesë e re e fejuar por edhe e pajisur me një shpirt të pavarur që e shtyn të mos iu nënshtrohet imponimeve, ngado që vijnë. Aida e sheh veten tek ajo.

Katerina Misasi, një aktore romake me origjinë nga Kalabria e njohur për paraqitjet televizive në Un Medico in Famiglia, Centovetrine dhe Vivere, u zgjodh për të luajtur rolin e Aidës.

Në film luajnë edhe Brixhilda Shqalsi, një aktore me origjinë shqiptare, Carmelo Giordano, Anna Stratigò, Mario Scerbo, Alessandro Castriota Scanderbeg, Fabio Pappacena dhe Antonio Andrisani.

Në vitin 2019, filmi u prezantua në Cozenza të Italisë dhe u shfaq në kinema në të gjithë rajonin e Kalabrisë, ku u prit mirë nga publiku.

Olivieri tha për Prishtina Insight se filmi që atëherë është shfaqur në shumë festivale në Evropë.

“Hera e parë ishte në Tiranë në Festivalin Dea, ku fitoi çmimin e jurisë së publikut. Më pas e shfaqëm filmin në Francë, Uells, Norvegji dhe Gjermani dhe në festivale të ndryshme të filmit italian”, tha ajo.

Ajo shtoi se publiku ishte i interesuar për këtë histori, pasi pak njerëz dinë diçka për historinë e shqiptarëve dhe të parëve të tyre.

“Në Itali pati një habi të këndshme, sepse edhe pse italianët e njohin popullin shqiptar dhe historinë e fundit të vendit, ata nuk e dinin që paraardhësit e tyre erdhën në Itali gjatë shekullit të pesëmbëdhjetë”, tha Olivieri.

Arbëria është emri i një sërë zonash gjeografike në Italinë jugore ku njerëzit nga Shqipëria dhe Greqia u larguan midis shekujve 15 dhe 18, duke i shpëtuar pushtimit osman të atdheut të tyre.

Arbëria u prodhua nga Open Fields, në bashkëpunim me Lucana Film Commission dhe Calabria Film Commission, me mbështetjen e Mibac dhe Siae si pjesë e nismës Sillumina dhe Bcc Mediocrati dhe Echoes.