Fillon asfaltimi i rrugës në Veternik (FOTO)

Sot ka filluar asfaltimi i rrugës së Veternikut në hyrje të Prishtinës, projekt i cili është zvarritur tash e disa vite.

Pas shembjes së një pjese të rrugës që ishte në ndërtim, punimet janë ndërprerë për një kohë të gjatë.

Në majin e këtij viti u duk se ndërtimi i kësaj rruge më në fund do të përfundohej.

Ish-ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, më 21 maj të këtij viti deklaroi se rruga e Veternikut do të përfundojë për 40 ditë, deri më 1 korrik.

Por punimet nuk përfunduan as më 1 korrik.

Ministria e Infrastrukturës kishte thënë për KALLXO.com se përfundimi i rrugës është vonuar për shkak të kushteve atmosferike.

Në përgjigjen e ministrisë së udhëhequr nga Arban Abrashi thuhej se punimet do të përfundonin më 15 korrik.

“Kushtet atmosferike kanë bërë të pamundur realizimin e projektit në afatin e parashikuar, pra më 1 korrik, përkundër që është duke u punuar me kapacitete të plota dhe me intensitet të shtuar. Përfundimi i projektit do të bëhet deri me datë 15 korrik”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për KALLXO.com.

Tashmë ka kaluar 1 ditë nga afati i dhënë nga Ministria e Infrastrukturës dhe duket se këtij projekti po i vjen fundi.