Filipçe: Të shtruarit në spital janë në gjendje të mirë, jashtë rrezikut për jetën

Të gjithë të lënduarit nga aksidenti që janë shtrirë në spitalin në Pirogrov në Sofje janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën, deklaroi ministri i Shëndetësisë të Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe.

Pas vizitës në spital bashkë me kryeministrin Zoran Zaev dhe ministrin e Jashtëm, Bujar Osmani, Filipçe theksoi se vetëm një pacient është me të thyera që do të nevojitet të bëhen analiza shtesë dhe të konstatohet nëse do të ketë nevojë për intervenim kirurgjik, raporton Alsat M.

“I vizituam pacientët. Bëhet fjalë për lëndime të lehta, të sanuara nga kolegët tanë, për çka jam shumë falënderues. U morëm vesh që të jemi në kontakt këtyre ditëve që pas stabilizimit të plotë të gjendjes, pacientët t’i transferojmë në Shkup, për tretman të mëtutjeshëm”, deklaroi Filipçe.

Të paktën 46 persona, shumica prej tyre nga Maqedonia e Veriut, kanë vdekur pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë më 23 nëntor, kanë thënë zyrtarët.

Fëmijët kanë qenë në mesin e viktimave dhe shtatë të mbijetuar kanë pasur nevojë për trajtim në spitalin e kryeqytetit Sofje, si pasojë e djegieve, ka thënë Nikolai Nikolov nga Ministria e Brendshme e Bullgarisë për televizionin privat, BTV.